Gjorçe harron fshatin e vetëm shqiptar Nigishtanin (Foto)

Vedat Mustafa nga Këshilli iniciator për grumbullimin e mjeteve për rregullimin e rrugës thotë se gjatë gjithë verës kanë arritur të mbledhin vetëm 3500 euro, shumë kjo që nuk mjafton as për gjysmën e rrugës

303

Shkup, 22 tetor – Avazi diskriminues i shqiptarëve të fshatit të vetëm shqiptar të Komunës së Gjorçe Petrovit – Nigishtanit vazhdon. Rrugët e fshatit Nigishtan që gjendet hiç më shumë se 13 kilometra larg qendrës së Shkupit, në shekullin 21 vazhdojnë ti ngjajnë atyre të parahistorisë, shkruan gazeta KOHA. “Më parë premtonin nëpër fushata, kësaj here as në fushatë nuk na premtuan gjë”, thonë banorët e kësaj ane, të cilët me vetë iniciativë kanë grumbulluar një sasi të hollash, të cilët megjithatë nuk mjaftojnë as për asfaltimin e gjysmës së rrugës. “Rruga lokale që lidh Nigishtanin me Komunën e Gjorçe Petrov është ndërtuar që nga ish-Jugosllavia. Në sistemin pluralist është bërë riasfaltim dhe zgjerim prej Gjorçe Petrovit deri tek fshati Vollkovë, kurse vitin e kaluar – deri në fshati fqinjë Orman, fshat ky i banuar kryesisht me popullatë maqedonase. Edhe pse kemi dërguar disa herë kërkesë për riasfaltim, e sidomos zgjerimin e rrugës, pasi problematike është për lëvizjen e dy veturave dhe shpesh ndodhin ndeshje në komunikacion. Me rëndësi është se mundësitë teknike janë, pasi për zgjerim nuk ka pengesa. Kalon në pjesë të pronësive private që të gjithë qytetarët janë në pajtim të zgjerohet. Vitin e kaluar e zgjeroi komuna sa për sy e faqe, diku 40 centimetra edhe atë me beton, e jo me asfalt”, tha Naim Azizi, arsimtar nga ky fshat. “Rruga siç e shihni është në mjerim, askujt nuk i intereson të vijë e të na ndihmojë. Është vështirë për ne, si studentë që udhëtojmë çdo ditë, sidomos kur bie shi”, tha një studente që deshi të mbetet anonim. Vedat Mustafa nga Këshilli iniciator për grumbullimin e mjeteve për rregullimin e rrugës thotë se gjatë gjithë verës kanë arritur të mbledhin vetëm 3500 euro, shumë kjo që nuk mjafton as për gjysmën e rrugës. “Rruga kryesore e fshatit që lidh me Nigishtanin e Epërm ka gjatësi prej 400 metrash dhe gjerësi prej 3 metrash, apo 1200 metra katror. Nevojiten diku 8000 euro për të asfaltuar ose për ta shtruar atë me pllaka bekatoni. Deri në këto momente kemi arritur ne – si banorë, të grumbullojmë vetëm 3500 euro”, tha për KOHA Mustafa. Në vitin 1996 kur u bë ndarja territoriale, fshati Nigishtan u përfshi në Komunën e Karposhit, por pas ndarjes së re territoriale të vitit 2004, fshati Nigishtan hyri në kuadër të Komunës së Gjorçe Petrovit. Nigishtani është 9 kilometra larg nga qendra komunale, e cila gjendet në Komunën e Gjorçe Petrovit. (koha.mk)

 

Comments are closed.