Tiranë, 12 qershor – Ministrja e Drejtësisë së Shqipërisë, Etilda Gjonaj, e cilësoi dekretin e Presidentit Ilir Meta për zhdekretimin e datës së zgjedhjeve, 30 qershorin, një akt absolutisht të pavlefshëm juridikisht.
E ftuar në studion televizive Njuz 24 transmeton ATSH, Gjonaj duke shpjeguar juridikisht arsyet se pse ky akt i Presidentit Meta është i pavlefshëm, theksoi se “Presidentit në Kushtetutë nuk i njihet e drejta ta zhdekretojë aktin e parë me një të dytë. Presidenti ka kompetenca në bazë të Kushtetutës neni 92 pika gj., të përcaktojë dhe vendosë datën e zgjedhjeve. Në asnjë moment Kushtetuta nuk i jep të drejtë ta zhdekretojë këtë akt me një akt të dytë”, transmeton KOHA.
“Presidenti ka vepruar në kundërshtim me praktikën kushtetuese, siç është vepruar deri tani në lidhje me vendosjen e datës së zgjedhjeve. Pra, ai do të duhet të kishte thirrur palët për shkak të praktikës kushtetuese. Akti i tij është antikushtetues edhe në afate. Ka shkelur të gjitha afatet e përcaktuara në Kodin Zgjedhor, i cili thotë se nga 30 marsi deri më 30 shtator duhet të ketë zgjedhje, një nga dy të dielat e fundit”, nënvizoi Gjonaj.
Sipas saj, Kushtetuta përcakton përfundimin e mandatit të të zgjedhurve të pushtetit vendor në 10 gusht.
“Kushtetua nuk e ka përcaktuar më tej zgjatjen e mandatit të organeve të pushtetit vendor. Pra, Presidenti e lë vendin në një pasiguri. Pas datës 10 gusht pushteti vendor nuk është më në detyrë, i mbaron mandati. Nëse nuk janë zhvilluar zgjedhjet më 11 gusht ata nuk janë më detyrë. Nuk mundet që atë që nuk e thotë Kushtetuta të thotë një akt tjetër”,tha Gjonaj.
Po ashtu, shtoi ajo, me këtë akt është cenuar e drejta e zgjedhësve për të zgjedhur.
Ministrja Gjonaj u shpreh se “Meta jo vetëm në këtë rast, por edhe në raste të tjera i takon të jetë institucional dhe jo politik. Ai është organi më i lartë që qëndron mbi palët”. (koha.mk)