Ishte shumë kënaqësi poashtu kur shkova tek shtëpia e Lionel Messit dhe bëra një dhuratë për të foton e Nënë Terezës, kurse personaliteteve të Real Madridit ju dhurova në gjuhën spanjolle librin e Ismail Kadaresë. Ne kemi bërë edhe një këngë që titullohet “Ole” dhe që në Zvicër ka pasur shumë sukses duke u radhitur në toplistat e vendit të parë…
Bisedoi: Blerand REXHEPI
Ai u bë një atraksion i vërtetë edhe në mediat e huaja për shkak të vizitës që kishte bërë tek ekipi i Real Madridit dhe tek shtëpia e Lionel Messi. Gjon Bisaku me origjinë nga Kosova tashmë po bën namin në Zvicër. Ai më parë ka jetuar në shtetin helvetik, ndërsa tash jeton në Hamburg të Gjermanisë, ka shtetësi zvicerane, gjermane dhe kosovare. Merret me muzikë tash e tre vite, por këngët i bën autentike dhe për qejf pasi nuk e preferon skenën false. Vitin e kaluar kënga e tij “Ole” konkurroi për himnin zviceran në kampionatin botërorë në Rusi dhe arriti majat e pëlqimeve. Është baba i katër djemve që merren me futboll dhe një familjar i përkushtuar. Në një rrëfim për InfraRed të gazetës KOHA, Gjoni tregon shumë gjëra mbi jetën, muzikën, futbollin etj.
KOHA: Sa kohë u bënë që merresh me muzikë?
Me muzikë merrem tash e tre vite afërsisht.
KOHA: Po sa i kënaqur je nga muzika dhe a e ke arritur qëllimin?
Nuk jam këngëtarë i rëndomtë dhe nuk dua të bëhem këngëtarë, unë me këngët vetëm që e shfaq dashurinë time me familjen time dhe atë që e përjetojmë, kam dëshirë të bëj këngë autentike dhe jo komerciale.
KOHA: A e ke menduar që në moshë të re që do merresh me muzikë?
Si i vogël kam adhuruar futbollin por edhe muzikën e kam shijuar.
KOHA: Skena të ka tërhequr gjithmonë?
E dua skenën e vërtetë ashtu si është pa skenare false.
KOHA: Krahas muzikës, a ka ndonjë aktivitet tjetër me të cilin merresh?
Përpos muzikës unë jam përkushtuar shumë pas 4 djemve të mi, ata janë të angazhuar shumë pas futbollit dhe unë e bashkëshortja mundohemi që fëmijët të jenë të gëzuar me përkrahjen tonë.
KOHA: Je përfolur se je tifoz i Messit dhe ke vizituar atë në shtëpi, mund të na e përshkruani gjithë këtë ngjarje?
Përpos shumë gjërave të tjera, më kryesorja ishte kur patëm ftesë dy herë nga Real Madrit dhe kur morëm dhuratë nga Lionel Messi.
KOHA: Gjithashtu po bën një plan për mbledhjen e të gjithë tifozëve të tij shqiptarë për t’i shkuar befasi tek shtëpia? Na e shpjego pak planin…
Ishte shumë kënaqësi poashtu kur shkova tek shtëpia e Lionel Messit dhe bëra një dhuratë për të foton e Nënë Terezës, kurse personaliteteve të Real Madridit ju dhurova në gjuhën spanjolle librin e Ismail Kadaresë. Ne kemi bërë edhe një këngë që titullohet “Ole” dhe që në Zvicër ka pasur shumë sukses duke u radhitur në toplistat e vendit të parë. Tani kemi edhe një projekt ku me një këngë do e përshkruajmë një ngjarje ku unë rrezikova jetën time për të shpëtuar një turk në Turqi sepse kishte Leukemi akute.
KOHA: Planifikoni të zgjeroni edhe më shumë familjen, ndoshta edhe me një vajzë?
Sa i përket vajzës, më ke prekur në zemër, neve Zoti na ka pas dhuruar vajzë dhe prap e morri, ajo ka vdekur si fëmijë dhe lutet për ne nga qielli, e ka pas emrin Gjonita.