Fisnik NUHIU
Shkup, 25 shtator – Ekipi i Shkëndija nga Tetova ka përfunduar aventurën evropiane në mënyrë dinjitoze, duke u eliminuar nga gjigandi anglez Totenham në raundin e tretë të Europa Ligë. Londinezët kanë triumfuar me rezultatin 1-3, në një ndeshje mjaftë të mirë nga skuadra e Shkëndijës. Gjiganti anglez e nisi për mrekulli ndeshjen, ku vetëm pas pesë minutash lojë kaluan në epërsi. Ishte koreani Son që asistoi bukur te Lamela i cili pa ndonjë problem realizoi për 0-1.
Pjesa e dytë nisi për mrekulli për skuadrën e Ernest Gjokës, që barazoi gjithçka në minutën e 55. Valmir Nafiu realizoi një gol të mrekullueshëm nga distanca për të barazuar shifrat në 1-1. Por gëzimi i kuqezinjve zgjati vetëm 15 minuta, pasi Spurs shënuan përsëri. Ishte koreani Heung-Min Son që shënoi në minutën e 70 pas një topi të kthyer për 1-2. Spurs nuk u ndalen, dhe në minutën e 80 realizuan edhe golin e tretë dhe të sigurisë. Son asistoi për mrekulli, teksa me anë të kapitenit Harry Kane realizoi me kokë për 1-3.
Trajneri i kuqezinjve Ernest Gjoka pas ndeshjes me Totenhamin ka theksuar se është i kënaqur me atë që kanë treguar në fushë futbollistët e tij, pavarësishtë eliminimit nga Europa Ligë.
“Mendoj se luajtëm mirë, vramë frikën për kundërshtarin që kishim përballë dhe provuam të bëjmë ndeshjen tonë. Natyrisht që dihej cilësia e kundërshtarit, por ne provuam vazhdimisht të luajmë dhe t’ua komplikojmë punën. Edhe goli i dytë i pësuar u duk pak naiv ashtu si i pari. Kur pëson, të gjithë golat duken të lehtë dhe naivë, por në fakt do të më pëlqente të mos ishim ndëshkuar aq shpejt, pasi do të na kishte ndihmuar të kishim më shumë siguri në fushë. E kisha thënë edhe më herët se pavarësisht rezultatit, ne do të dalim të fituar nga kjo ndeshje. Unë fitova atë që doja në fundin e ndeshjes. Të kesh kundërshtar Hose Murinjon, është si një arritje për të gjithë ato sakrificat që një trajner bën gjatë karrierës së tij. Sa i përket Shkëndijës, për skuadrën fillon një tjetër epokë. Të luash në nivele të tilla kaq të larta, do të thotë që duke filluar nga ndeshja e radhës në kampionat, të tregojmë superioritetin tonë dhe të kthehemi në Evropë edhe më të fuqishëm një vit më vonë. Është një motivim ekstra, por mbi të gjitha një ndërgjegjësim për forcën dhe atë që mund të arrijmë”, ka deklaruar trajneri i Shkëndijës pas ndeshjes”, deklaroi Ernest Gjoka.
Nga ana tjetër trajneri portugez, Hose Murinjo ka lavdëruar Shkëndijën për paraqitjen ndaj ekipit të tij. “Shkëndija është ekip i mirë që luan me intensitet tjetër prej atij që e kemi ne. Ne kemi filluar fuqishëm dhe kemi menduar se kemi ndeshjen, por më pas vendasit shënuan dhe ishte vërtetë ndeshje e fortë. Megjithatë lojtarët e mi reaguan mirë dhe në fund fituam. Një ekip i madh me trajner të madh. I organizuar mirë”, ka thënë Mourinho.
“Mendova se jam rritur”, Murinho bën humor me portat e vogla
Hose Murinjo kritikoi dje organizimin e ndeshjes në Maqedoninë e Veriut. Ai pa se shtyllat e portës ishin pesë centimetra më të ulëta. Portieri i ka thënë se portat janë më të vogla. “Ishte një situatë qesharake para ndeshjes. Portieri më tha se golat janë të vogla. Portierët e dinë kur nuk është lartësia e duhur. E kemi ditur se diçka është gabim dhe kemi thirrur delegacionin për të kontrolluar. Portieri im kishte të drejtë. Portat ishin pesë centimetra më të vogla. Ne kemi kërkuar që ato të ndërrohen”, ka shtuar Mourinho. Portugezi, i cili është me trup mesatar, ishte në gjendje të qeshte me incidentin pas ndeshjes dhe me shaka ndau një foto të tij duke arritur deri në traversë në faqen e tij në Instagram. “Mendova se isha rritur, atëherë e kuptova që porta ishte 5 centimetra më e ulët”, ka shkruar Murinjo.