Shkup, 21 shtator – Shkëndija fiton 2:1 Akademia Pandev dhe pas gjashtë xhirove numërojmë 4 fitore dhe 2 barazime, jemi të pamposhtur dhe me 14 pikë ruajmë pozitën e liderit në renditje. Besart Ibraimi me dy realizime në minutën e 38 dhe atë të 74 nga pika e bardhe ishte vendimtarë në triumfin, ndërsa vetëm vlerë statistikore do të ketë goli i Sashko Pandevit.
Fitorja ka lënë të kënaqur trajnerin Ernest Gjoka, i cili pas ndeshjes ka lavdëruar futbollistët për përkushtimin e treguar.
“Dalim dhe bëjmë diferencën me dy gola, pastaj bëjmë një gabim dhe detyrohemi përfundimin e ndeshjes 13-14 minuta t’i kalojmë nën stres. Normal asnjë ndeshje nuk është e lehtë dhe duhet patjetër të jemi të kujdesshëm, por mendoj që futbollistët janë duke dhënë maksimumin, janë duke bërë shumë mirë dhe këto janë fitore të tyre. Nuk është kollaj që të vraposh të enjten me maksimumin e mundësive, të vraposh të dielën në maksimumin, e shihni që po bëj edhe pak rotacion për t’i ruajtur futbollistët. Gjithsesi shumë e rëndësishme është të mbajmë këtë ritëm dhe të ecim përpara”, ka theksuar Gjoka, i cili më pas ka shtuar.
“Unë pretendoj dhe shpresoj të vazhdojmë me këtë ritëm. Jemi në një ritëm pozitiv dhe fitoret gjithmonë të mbajnë në ritëm, por që duhet të kujdesshëm sepse kampionati është shumë i vështirë, çdo ndeshje është e vështirë dhe sidomos kundër neve çdokush jep maksimumin e tij. Sigurisht se neve na duhet fitorja që të mbajmë këtë ritëm dhe të ikim përpara. Të jemi të kujdesshëm, të qetë. Të mbështesim njëri tjetrin që nga tifozi e deri lartë te kryesia, sepse kjo punë që bëjmë ne do shumë durim. Dhe për mua durimi është virtyt, ato që e kuptojnë këtë punë dhe i japin durimin skuadrës sepse kjo punë nuk është një apo dy javë. Flasim për një vit kalendarik dhe në këto momente mund të kemi momente të mira dhe të këqija. Kampionati sapo ka filluar dhe është shumë i gjatë. Duhet mbështetje dhe të jemi gjithë bashkë për të ecur përpara, ka deklaruar Ernest Gjoka.
Skuadra e Shkëndijës pas fitores nga Akademija Pandev ka marr kreun e tabelës duke e shfrytëzuar humbjen e Sileksit në shtëpi nga Boreci.