Driton ZENKU
Gostivar, 14 prill – Periudha e pranverës karakterizohet me praninë e kafshëve shtëpiake në hapësirat publike, respektivisht dhenve, lopët por edhe kuajt. Derisa sa zgjat kullotja e tyre nëpër fusha, lëvizja nëpër rrugë shpeshherë paraqet burim aksidentesh me automjetet në lëvizje, shkruan gazeta KOHA. Raste të tilla janë regjistruar në autostradën Gostivar-Tetovë, magjistralen Gostivar-Kërçovë si dhe rrugët regjionale nga qyteti drejt fshatrave të Gostivarit. Zakonisht, dhentë më në numër janë problematike për t’i mbajtur nën kontrolle, dhe si pasojë numërohet me dhjetëra raste të tilla kryesisht në rrugët që kufizohen në të dyja anët me hapësirë të gjelbër. Vitin e kaluar, në magjistralen Gostivar-Kërçovë, respektivisht rrugën nga pika pagesore në Gostivar drejt Kërçovës, u regjistruan dy aksidente të kësaj natyre. Në rastin e parë, automjeti në lëvizje u ndesh me një tufë dhensh, ndërsa në rastin tjetër automjeti u përplas me disa lopë. Pos dëmeve materiale, disa nga kafshët ngordhën në vendin e ngjarjes. Duke u nisur nga ky realitet, nga Policia e Gostivarit tërheqin vërejtën për barinjtë që kujdesen për kafshët. Nga atje thonë se jo çdo herë barinjtë e kanë nën kontrolle lëvizjen e tyre, dhe si pasojë e lëvizjes së pakontrolluar të tyre, vjen deri tek aksidentet e padëshiruara.
“Kafshët shtëpiake nuk guxojnë të lëvizin në rrugët regjionale, autostrada dhe magjistralet. Lejohet të lëvizin në anën e djathtë vetëm në raste kur nuk ekziston alternativë tjetër për lëvizjen e tyre”, thonë për KOHA nga Policia e Gostivarit. Nga atje, pohojnë edhe moshën e barinjve që kujdesen për bagëtitë. Thonë se në raste të tilla, bariu nuk guxon të jetë nën moshën 14 vjeçe. Në qoftë se do të vinte deri tek aksidentet e padëshiruara, pronari respektivisht personi përgjegjës, krahas gjobës bazë, rrezikon të përballet edhe me implikime të tjera ligjore, varësisht nga dëmi i shkaktuar. “Nëse nuk u përmbahen rregullave ligjore, barinjtë rrezikojnë të përballen me gjobë prej 30 deri 50 euro”, sqarojnë nga Policia e Gostivarit. Krahas kafshëve shtëpiake, pengesë dhe burim aksidentesh në komunikacion paraqiten edhe qentë endacak dhe kafshët e tjera të egra. Aksidentet më të shpeshta të kësaj natyre paraqiten kryesisht në autostradën Gostivar – Tetovë, kjo si pasojë e mungesës së gardhit përgjatë autostradës. Në shumë lokacione, rrethoja prej teli ose është dëmtuar tej mase, ose është grabitur nga qytetarë të pandërgjegjshëm, ndërsa intervenimi i institucioneve përgjegjës nuk bëhet në kohë e duhur.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara