Omer XHAFERI
Shkup, 27 shkurt – Kërkesat e rregullta të palëve në një seancë gjyqësore për çështje të garantuara me dispozita ligjore, nuk paraqesin bazë për shqiptimin e gjobës apo dënimit, shkruan gazeta KOHA. Kjo tezë së fundmi është përfshirë në analizën juridike të shoqatës joqeveritare “Të gjithë për gjykim të drejtë”, sipas të cilëve, akuzat e drejtuara brenda sallës së gjykatës, në këtë rast akuzat e prokurorëve special Katica Janeva dhe Fatime Fetai kundrejt gjykatëses Tatjana Mihajllova, e cila e procedon lëndën kundër ish-kryeministrit Nikolla Gruevskit, janë të pabaza. “Përkundrazi, madhësia e të qenurit gjykatë dhe përfaqësues i saj, funksioni i të cilës është shpërndarja dhe puna në interes të së drejtës, më së paku duhet të shkelen kur të ballafaqohen me çfarëdolloj akuzash, prandaj edhe ekzistojnë mekanizma dhe institute juridike të llojit të shpifjes dhe ofendimit, pra nëse vërtetohet se ndonjë prej këtyre qëndrimeve nuk ka qenë i vërtetë, nderi dhe reputacioni i atij që ka qenë i apostrofuar – riparohet”, thuhet në analizën dhe interpretimin normave të Ligjit për procedurë penale, që koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” e ka realizuar për seancën e fundit gjyqësor kundër kryetarit aktual të VMRO-së. Veprimi më interesant i gjykatëses, në këtë rast – siç theksohet në këtë analizë, është vendimi që pas shqiptimit të gjobave ndaj dy prokuroreve speciale, lënda së bashku me të gjitha shkresat tjera t’i dorëzohet Këshillit të Prokurorëve Publik. Dorëzimi i këtij rasti te KPP, sipas drejtuesve të shoqatës “Të gjithë për gjykim të drejtë” do ta pamundësonte parashtrimin e ankesës nga Prokuroria Speciale Publike, për arsye se Këshilli Penal i Gjykatës Themelore Shkupi 1, është organi i cili vendos lidhur me ankesat e parashtrua, respektivisht në këtë rast – nuk do ta mund ta bëjë një gjë të tillë për shkak të mungesës faktike të lëndës në gjykatë. Në kuadër të interpretimit të situatës, në këtë analizë juridike janë theksuar neni 88 paragrafi 3 i LPP, i cili thotë se “për gjobitjen e prokurorit publik, gjykata do ta njoftojnë prokurorinë publike kompetente”. Në ndërkohë, nga ana tjetër – neni 7 paragrafi 3 i Ligjit për Prokurorinë Speciale, e ka paraparë që prokurori publik në mënyrë profesionale për veprimet e tija ligjore do të përgjigjet para KPP-së. “Në këtë rast, gjykata për detyrë ka pasur ta informojë prokurorinë kompetent të prokurorisë, gjegjësisht prokurorisë speciale Katica Janeva, dhe jo KPP. Ndërsa, nëse merret parasysh fakti se këtij Këshilli, prokuroria në fjalë i përgjigjet në mënyrë profesionale vetëm për veprime ligjore të cilat i ndërmerr, dhe për asnjë moment nuk nënkupton përgjegjësi për punën e bërë (detektimin e dyshimeve bazë për kryerjen e veprës penale)”, thuhet mes tjerash në këtë analizë. Mungesa e bazës ligjore për shqiptimin e gjobave në këtë shkallë nga koalicioni “Të gjithë për gjykim të drejtë” e sqarojnë duke potencuar se përgjegjësia disiplinore e prokurorëve të PSP-së, nuk është paraparë as në neni 8 të Rregullores së Prokurorëve, ku përshkruhet qartë se kush dhe ku më saktësisht dorëzon propozim për ngritjen e procedurës disiplinore dhe para se gjithash, në çfarë rasti”. Sidoqoftë, konstatim i përgjithshëm i kësaj shoqate është se Gjykata në fjalë synon krijimin e praktikave të reja, të cilat në masë të madhe janë prezent kur akuzat ju drejtohen atyre.
© Gazeta KOHA. Të gjitha të drejtat janë të rezervuara.