Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, duke i komentuar zërat për vendosje të masave restriktive për zona të caktuara, tha se kjo më tepër varet nga vet qytetarët se sa do t’ju përmbahen respektimit të masave mbrojtëse
Omer XHAFERI
Shkup, 1 qershor – Vetëdija e ulët qytetare për respektimin e masave mbrojtëse nga virusi KOVID-19, sidomos në komunat si Tetova, Saraji, Gazi Baba, Çairi e Aerodromi është shkaku kryesore pse presidenti i Republikës së Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski e solli edhe një vendim për gjendje të jashtëzakonshme në vend. Shfuqizimi i orës policore javën e kaluar ndikoi që edhe më tepër të shtohen turmat e njerëzve nëpër lagje.
Faktin se udhëzimet për respektimin e masave mbrojtëse nga korona virusi nuk përfillen nga shumica e qytetarëve e tregojnë gjobat e shqiptuara nga ministria e Punëve të Brendshme, për mos mbajtje të maskave. Nga miratimi i vendimit që të hiqet ora policore e deri me 31 maj në nivel republikan policia e shtetit ka shqiptuar afërisht 2 mijë gjoba për mos mbajtjes të maskës. Kësisoj një ditë pas 27 majit kur edhe hynë në fuqi vendimet për funksionimin e kafeneve dhe lokaleve hotelerie, gjegjësisht mes 28 dhe 29 majit MPB ka shqiptar mbi 400 gjoba për mos mbajtjes të maskës në fytyrë, me 30 maj mbi 500 gjoba dhe me 31 numri gjobave gati se nuk kishte arritur numrin 700. Lartësia e këtyre gjobave është 20 euro, respektivisht 10 euro në kundërvlerë denarë nëse paguhet brenda një jave.
Kryeministri teknik, Oliver Spasovski, duke i komentuar zërat për vendosje të masave restriktive për zona të caktuara, tha se kjo më tepër varet nga vet qytetarët se sa do t’ju përmbahen respektimit të masave mbrojtëse. “Ne ditë më parë paralajmëruam se masat rigoroze apo restriktive janë të mundshme për rajone të caktuar ku ka rritje të numri të qytetarëve të infektuar. Kjo do të varët me tepër nga respektimi i masave nga qytetarët, si dhe nga ata që janë në vetizolim për shkak se janë kontakt i drejtpërdrejtë nga dikush që është pozitiv me KOVID-19. Sa më tepër i respektojmë masat aq më tepër kemi zvogëlime të masave restriktive”, tha Spasovski. Gjatë periudhës të kaluar ai shtoi se shteti, institucionet, sistemi shëndetësor dhe Komisioni për sëmundje infektive kanë bërë gjithçka me miratimin e vendime dhe kështu janë rregulluar protokollet për sjelljet e qytetarëve.
Udhëzimet e institucioneve shëndetësore të vendit janë që situata me KOVID-19 të trajtohet seriozisht nga të gjithë qytetarët dhe se vetëm me disiplinë e respektimit të pakushtëzuar të masave kjo pandemi do të largohet. Përderisa ishte në fuqi ora policore në vend policia e shtetit dhe prokuroria deri te gjykatat përkatëse dorëzuan mbi 2500 urdhra penal për shkelje të ndalesës për qarkullim në kohë të pandemisë. Situata e vështirë ekonomike dhe rritja e papunësisë sipas ministrit aktual të Punëve të Brendshme, Naqe Çulev kanë qenë ndër arsyet pse pjesëtarët e MPB-së i kanë toleruar lëvizjet e qytetarëve, respektivisht një pjesë të shkeljeve ata i kanë “sanksionuar” me paralajmërime. (koha.mk)