Paralelisht me zvogëlimin e gjobave për kundërvajtje, Ministria e Punëve të Brendshme, duhet të punoj edhe në edukimin e pjesëtarëve të vet. Sipas organizatës jo formale “Në biçikletë”, e papranueshme është të bëhet ulja e gjobave, nëse paraprakisht nuk bëhet një analizë gjithëpërfshirëse e faktorëve që ndikojnë në rritjen e sigurisë në komunikacionin rrugor
Omer XHAFERI
Shkup, 22 tetor – Çfarë ndikimi do të ketë zvogëlimi i gjobave në komunikacion kundrejt sigurisë së pjesëmarrësve në komunikacionin rrugor. Kjo është dilema të cilën e parashtron sektori civil. Më saktësisht organizata jo formale “Në biçikletë”, pas paralajmërimit të ministrit për Punë të Brendshme, se së shpejti do të zvogëlohen gjobat për kundërvajtje në komunikacion, ka parashtruar në sërë pyetjesh rreth kësaj çështje. Fillimisht në komentin e ndryshimeve ligjore që pritet të materializohen së shpejti nga MPB, ata theksojnë se politika e sanksioneve duhet të bazohet në informacione dhe analiza serioze, shkruan gazeta KOHA.
“Ne dëshirojmë ta shohim analizën mbi të cilën bazohet ky propozim. Ne gjithashtu do të dëshironim të shohim një plan veprimi për të rritur sigurinë. Ndoshta ulja e dënimeve është e justifikuar nëse ato janë të shkallëzuara dhe numri i tyre është rritur (shpeshtësia e gjobave). Megjithatë, gjobat duhet të jenë mjaftueshëm të ulëta për njerëzit me qëllim të pagimit të tyre, por edhe tepër të rrepta për të mos e përsëritur kundërvajtjen. Sa gjoba shqipton tash? Çka në të vërtet e ndalon për të shqiptuar më tepër? A është e vërtetë se ndjejnë keqardhje, apo diçka tjetër? Si do të arrihet shqiptimi i më shumë gjobave jo selektive? Cilat janë synimet e vendosura në ministria? Si do të rrjedhin gjobat e shqiptuara dhe si do të ndikojnë ata në siguri?”, thonë nga organizata “Në biçikletë”.
Ministria e Punëve të Brendshme, gjatë përgatitjes së ndryshimeve të Ligjit për siguri në komunikacion, duhet të mendoj për vendosjen e llojeve të infrastrukturës në komunikacioni, të cilët nuk ekzistojnë në dispozitat aktuale dhe të cilat do të kontribuojnë në rritjen e sigurisë. Ky është njëri prej propozimeve të cilat i japin nga “Në biçikletë”, gjegjësisht ata propozojnë ridefinimin e disa rregullave të komunikacionit, të cilat po ashtu do të ndihmojnë në përmirësimin e sigurisë.
“Propozojmë që të ndryshohet programi i auto-shkollave (kompetenca është e mbuluar me Ligjin për siguri në komunikacion) dhe theksi kryesor të vihet mbi kategoritë e prekura, etikën dhe komunikimi në komunikacion. Komunikacioni teoretikisht dhe praktikisht duhet t’i ketë në mënyrë të obliguar programet e shkollave fillore, dhe jo vetëm disa shkolla të jenë të mbuluar me fushata, por duhet të mësohet dhe të nxirret në poligon çdo fëmijë në vendin tonë. Kamerat aktuale brenda qyteteve (jo vetëm në autostrada) të shfrytëzohen për shqiptimin e gjobave për vozitje të shpejtë. Të gjitha këto propozime i kemi komunikuar dhe me këtë planifikojmë ta njoftojmë edhe MPB-në, me qëllim përmirësimin e Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor”, thonë nga organizata jo formale “Në biçikletë”.
Përveç propozimeve në fjalë, ata nga MPB kërkojnë zbatimin e masave të cilat janë dëshmuar se ndihmojnë në rritjen e sigurisë. Një prej këtyre kërkesave është edukimi i pjesëtarëve të MPB-së dhe kontrolli i brendshëm në këtë ministri ndaj atyre pjesëtarëve që janë shembull i keq. Qasja në këto raste duhet të jetë jo populiste, pasi që bëhet fjalë për çështje serioze, siç është jeta e njerëzve.
Ndryshe, siç shprehen nga “Në biçikletë”, e papranueshme është që në njërën prej shteteve me komunikacion më të pasiguritë, të bëhet zbutja e gjobave, pa analiza paraprake.
Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovksi, javën e kaluar deklaroi se në kuadër të kësaj ministrie janë duke u bërë analizat e fundit për ndryshimin Ligjit për siguri në komunikacionin rrugor, gjegjësisht për zvogëlimin e gjobave për kundërvajtje. Ky tekst ligjor, siç tha ai para se të dorëzohet në Parlament, do të dorëzohet për debat publik, ku mund të marrin pjesë ekspertë ndryshëm nga fusha e komunikacioni rrugor, shoqata jo qeveriste dhe qytetar. (koha.mk)