Nga Ligji procedural për kundërvajtjet (Gazeta Zyrtare nr.99/12), qytetarët kanë të drejtë ankese për shqiptimin e dënimit për mos mbajtjen e maskës mbrojtëse. Në shkallë të parë vendos Byroja për kundërvajtje pranë Ministrisë së Brendshme, ndërsa në shkallë të dytë komisioni qeveritar për kundërvajtje
Shkup, 28 qershor – Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) nga 1 maji e deri më 25 qershor ka shqiptuar 20.500 gjoba kundërvajtje me nga 20 euro, për shkeljen e rekomandimit për mbajtjen e maskës mbrojtëse si mjet për parandalimin e përhapjes së koronavirusit, por nga MPB-ja deklarojnë se nuk kanë të dhëna të sakta se sa nga këto dënime të shqiptuara, janë paguar.
Nga kjo ministri thonë se në pajtueshmëri me normat e Ligjit procedural për kundërvajtje (Gazeta Zyrtare Nr.99/12), palët kanë të drejtë të ankohen, në shkallë të parë për ankesën e tyre vendos Byroja për kundërvajtje pranë MPB-së, ndërsa në shkallë të dytë vendos komisioni qeveritar për kundërvajtje. “Informojmë se në pajtueshmëri me këtë Ligj, nëse në afat prej tetë ditësh qytetari vendos që të paguaj dënimin, atëherë ai e paguan vetëm se gjysmën e dënimit (në rastin konkretë 10 euro nga 20 sa është dënimi), ndërsa nëse dënimi nuk paguhet në afatin e paraparë, atëherë për të vendosin komisionet përkatës pranë MPB-së dhe Qeverisë”, informojnë nga MPB-ja. Vendosja e kësaj mase, shtojnë nga MPB-ja, është në pajtueshmëri me Dekretin e Qeverisë nga 22 prilli, ndërsa ka hyrë në fuqi nga 1 maji. “Në pajtueshmëri me dekretin, neni 4, përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të masave përveç MPB-së, kanë edhe Inspektorati Shtetëror Sanitar, Inspektorati i Punës dhe Inspektorati Shëndetësor”, thonë nga MPB-ja.
Në ndërkohë, MPB gjithashtu ka informuar se vetëm dje, ndaj 366 personave është shqiptuar vendime për izolim, ndërsa 125 persona kanë nënshkruar deklaratë për vetizolim gjatë 24 orëve të fundit në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Nga MPB kanë njoftuar se nga ana e nëpunësve policor janë kryer kontrolle te persona në izolim dhe vetizolim dhe nuk janë evidentuar raste që nuk e kanë respektuar masën. Lidhur me masën e mos mbajtjes së mbrojtjes personale janë regjistruar 643 shkelje. (koha.mk)