Vitet kalojnë dhe nëse nuk shfrytëzon trenat që të kalojnë, atëherë vështirë se mund ta bësh më vonë… Kështu është edhe karriera e futbollistëve, ku shpesh histori pengjesh apo zgjedhjesh kanë ndikuar dhe përcaktuar një rrugëtim…
Dikur, të paktën përpara 10 viteve, Burak Yilmaz ishte një ndër sulmuesit më premtues të Turqisë dhe në shpërthimin e tij, aq sa shumë skuadra europiane do të hidhnin sytë nga ai. U mendua se do të ishte pasuesi ideal i Hakan Sukur, por nuk do të ndodhte kështu.
Yilmaz shënoi 55 gola në 75 ndeshje me Trabzonsporin dhe 65 në 105 ndeshje me Galatasarayn. Megjithatë, Turqinë do ta brakiste vetëm njëherë, për të shkuar në Kinë te Beijing Guoan ku në një sezon shënoi 19 gola.
Më pas, rikthimi në Turqi te Besiktasi, këtë sezon, ku realizoi 11 gola në 15 ndeshje.
Tashmë, e ardhmja e tij, për të parën herë në moshën 33 vjeç, mund të jetë përtej kufinjve të Turqisë, por brenda Europës. Lecce dëshiron t’ia bëjë dhuratë vetes për ngjitjen në Serie A, por duke qenë se rroga e tij prek 1,5-2 mln euro, atëherë nuk dëshiron të paguajë për kartonin, teksa Besiktashi dëshiron 6,5 mln euro.
Gjashtë vite më parë, ishte pranë kalimit në Serie A, me Lazion dhe Fiorentina e dëshironin. Sot, i telefonon Calhanoglu dhe Under, duke pyetur rreth Italisë…