Ekziston një bindje e gabuar në popullatë se gjithçka që është jashtë oborrit të shtëpisë, nuk na takon të kujdesimi, prandaj edhe vetëdija qytetare ndaj hapësirave publike është tepër e ulët. Fatkeqësisht ende autoritetet vendore nuk kanë kapacitete të mjaftueshme që të shqiptojnë dënime për personat që ndotin natyrën.
Zenel MIFTARI
Shkup, 21 shtator – Ndonëse në botë kujdesi për ambientin është tema më rëndësishme dhe ajo që dikton politika shtetërore, në vendin tonë nuk ka gati kurrfarë vëmendje ndaj kësaj teme. Duke mos pasur vëmendjen e autoriteteve shtetërore, politikat e gjelbra nuk zgjojnë as kërshërinë e qytetarëve. Si pasoj e kësaj, qytetarët nuk kanë kujdes ndaj natyrës dhe pronës publike. Ata zakonisht pas përfundimit të piknikëve, lënë pas vetes grumbuj mbeturinash, të shumtën ambalazhe plastike vështirë të tretshme, kanoçe të shtypura etj. Jo rrallë edhe hapësirat përreth rrugëve, por edhe para godinave të banimit, “notojnë” në pellgun e mbetjeve të ndryshme interte.
Një pakujdesi e madhe po tregohet edhe në hedhjen e mbeturinave dhe mbetjeve industriale, përmes gazrave të shkarkuara, pesticidet dhe plehrat kimike si dhe për pasojë kemi edhe erozionet që vijnë nga shkatërrimi i pyjeve.
Politikat ekologjike dhe të ambientit jetësor, janë të rëndësishme në proceset euro-integruese. Mbrojta e natyrës dhe pronës publike është një ndër vlerat europiane dhe që vendet e BE-së i kushtojnë rëndësi të madhe. Sipas aktivistëve ekologjik, çdo ditë dëgjojmë dhe shohim se si shkatërrohet mjedisi ynë, duke prerë pyjet dhe duke i djegur, duke ndotur lumenjtë, liqenet dhe ujërat nëntokësorë. Gjithashtu sipas tyre një ndër problemet kryesore është edhe shumimi i deponive të egra, gati se në çdo qytet të vendit tonë.
Nga Ministria e Ambientit dhe Mjedisit Jetësor, për gazetën KOHA janë shprehur se, sipas ligjit, mbikëqyrja e dëmtimit të lumenjve dhe hapësirave të gjelbra nuk i takon inspektoratit shtetëror por atij komunal. Nga ana tjetër në një konferencë për shtyp ministri i Ambientit Jetësor, Naser Nuredini, ka thënë se edhe pse po përballemi me një periudhë të sfidave shëndetësore dhe ekonomike, si ministër, ai do të përpiqet të mos bëj kompromis për mbrojtjen e mjedisit, si dhe të mos injoroj krizën e klimës me të cilën përballet e gjithë bota. “Do të doja të theksoja se nëse ka një gjë që kemi mësuar këtë vit, është se një mjedis i shëndetshëm është një parakusht për përmbushjen e të gjitha të drejtave të njeriut, për shëndetin tonë, për ekuilibrin e ekosistemeve. Në të njëjtën kohë, ne kemi parë që vendet mund të ndërmarrin hapa radikal kur është e nevojshme”, ka thënë Nuredini. Nga OJQ-ja, “Bëhu i Gjelbër” për gazetën KOHA, thanë se vetëdija ekologjike në shoqërinë tonë është e ulët. Nga atje thanë se viteve të fundit ka përparim me aktivizmin e gjelbër por ende jemi në fillim dhe, sipas tyre, jemi larg për të arritur në nivelin e duhur dhe të kënaqshëm për të siguruar një ambient më të mirë për të gjithë ne.
“Tek ne mendohet se në momentin që dilet nga oborri i shtëpisë, mund të hedhim mbeturin kudo që mundemi. Ajo që na shqetëson është që fatkeqësisht ende autoritetet vendore nuk kanë kapacitete të mjaftueshme që të shqiptojnë dënime për personat që ndotin natyrën. Ndërkohë për kompanitë e vogla që nuk respektojnë masat ekologjike, shpesh bëhen lëshime për shkak se nëse dënohet një kompani e vogël, do të detyrohet ta mbyll biznesin, por në anën tjetër afër do të mbeten pa punë afër 10 persona”, deklaruan nga Bëhu i Gjelbër. Në fund ata thanë se ne kemi një luftë të ftohtë mes ekonomisë dhe ekologjisë. Maqedonia e Veriut ka numër të vogël të OJQ-ve dhe partive të gjelbra dhe për pasojë ambientalizmi ka filluar ngadalë të ketë efekt të prekshëm në krijimin e politikave vendore. Duke pasur parasysh fuqinë e opinionit publik, disa parti më të mëdha politike në vend kanë filluar të miratojnë agjenda të gjelbra për t’i tërhequr nga veti votuesit. Në vendin tonë, vitin e kaluar u realizuan disa protesta dhe marshe të qytetarëve ku kërkohej ambient më i pastër dhe ndërhyrje e shtetit për kompanitë që nuk respektojnë dhe shkelin masat ligjore për mbrojtjen e ambientit. (koha.mk)