Shkup, 23 janar – Ashtu siç u paralajmërua, KH Rinia sot organizoi konferencë për shtyp me rastin e turnirit memorial “Arsim Idrizi 2020”, i cili do të mbahet me 25 dhe 26 janar. Cekim, Idrizi, humbi jetën vitin e kaluar pas një sëmundje të rëndë.
Sa i përket turnirit, organizatorët, KH “Rinia”, trajneri Muhamed Ismaili, ish-kapiteni Basri Latifi, portieri Gafur Hasani si dhe vëllai i të ndjerit, Besnik Idrizi, i cili gjithashtu është hendbollist i KH Rinia dhe ka qenë bashkëlojar i vëllait të tij, shpalosën plan-programin i cili do të mbahet të shtunën dhe të dielën, njofton gazeta albsport, përcjellë gazeta KOHA.
“Duke ju falënderuar të gjithë mediave që na keni mbështet dhe keni bërë një prezantim të turneut, unë i falënderohem gjithë atyre që janë pjesë e stafit organizativ, por edhe Federatës së Hendbollit të Maqedonisë për mbështetjen teknike. Ky turnir përveç se është memorial dhe përkujtimor, do të jetë edhe një festë për të gjithë dashamirët e hendbollit”, tha trajneri Muhamed Ismaili.
“Turniri do të zhvillohet dy ditë dhe do të marrin pjesë katër ekipe SK Vllaznimi Gjakovë, Trepça Mitrovicë, Elbasani nga Shqipëria dhe ne si nikoqir KH Rinia. Ditën e parë, me 25 janar luhen dy ndeshje, ndërsa me 26 janar do të luhen ndeshjet për vendin e tretë dhe finalja e madhe. Gjithashtu vlen të potencojmë se në fund kemi përgatitur edhe shpërblime për ekipet”, tha Latifi.
Në këtë turne memorial priten të marrin pjesë shumë figura të njohura sportive. Ndeshjet e këtij turneu do të zhvillohen në sallën sportive “Enver Idrizi”, pranë Shkollës Fillore “7 marsi” në Çair.