Deçiziv në derbi, tani për Mauro Ikardin është radha që të tregojë veten në sfidën e Ligës së Kampioneve ndaj Barcelonës. Në konferencën për mediat para ndeshjes, argjentinasi thotë se është një takim special për të, pasi aty ka nisur edhe karriera e tij. “Është një ndeshje e veçantë për mua, pasi karriera ime ka nisur këtu. Do të jetë hera e parë në Camp Nou, dhe falenderoj këtë klub për çfarë më ka mësuar.”
RIKTHIM TE BARCELONA? – “Jam shumë mirë tek Interi, dhe në këtë moment as nuk e mendoj të largohem.”
KOHËT TE BARCELONA – “Kam mësuar shumë, dhe dua të falenderoj të gjithë ata që më kanë ndihmuar e mësuar. Kam mësuar si brenda, ashtu edhe jashtë fushe. Nëse sot jam ky që jam, kjo është falë tyre.”
NË CAMP NOU – “Është gjithmonë e veçantë. Këtu jam rritur, do të jetë emocionuese të luaj aty. Nuk pendohem që jam larguar. E dija që do të ishte shumë e vështirë të luaja në skuadrën e parë, dhe kur mu dha shansi për të kaluar në Itali, i hipa menjëherë avionit.”
OFERTAT – “Për mua ka pasur gjithmonë oferta, por jam shumë mirë tek Interi, dhe jam i përqendruar të arrijmë objektivat e skuadrës. Nuk dua të largohem. Jam kapiteni, dhe dua të jap gjithçka për këtë ekip.”
MESI MUNGON – “Është për të ardhur keq, sepse është gjithmonë bukur të luash ndaj lojtarëve të mëdhenj. Por, fakti është që ai do të mungojë, dhe ne duhet ta shfrytëzojmë këtë gjë.”