Gjysmëfinalja e Ligës së Kampionëve mes Tottenham dhe Ajax ka pasur padyshim vëmendjen e krejt Europës. Shumë drejtues të klubeve të mëdha ishin të pranishëm në Londër të martën në mbrëmje, ndër to edhe Piero Ausilio (Inter) dhe Fabio Paratici (Juventus).
Sipas “Il Corriere dello Sport”, Interi i kishte sytë tek argjentinasi Tagliafico, por, gjithashtu, ëndërron njërin nga xhevahirët sulmues të holandezëve, Neres ose Ziyech. Konkurenca, megjithatë, në këtë rast është veçanërisht e ashpër, duke pasur parasysh se për dy talentet e Ajax-it ka kaq shumë klube të interesuara, duke filluar nga Roma.
Tagliafico, në krahasim me shokët e tij të skuadrës, duket më i arritshëm për Interin, edhe pse kohët e fundit argjentinasi nuk e ka fshehur preferencën e tij për të luajtur në Premier League. Paratici, në anën tjetër, përveç De Ligt, i cili deri tani duket se ka qenë i destinuar për t’iu bashkuar Barcelonës, së bashku me shokun e tij, De Jong, ka shfrytëzuar mundësinë për të parë nga afër Eriksen e Tottenhamit.
Danezi në të vërtetë pëlqehet nga Real Madridi, por Juventusi mund të provojë, nëse vendos të sakrifikojë Pjanic. Së fundi, nga radhët e Tottenham, Paratici po vëzhgonte me kujdes edhe performancën e Alderweireld, mbrojtësi belg i cili mund të përfaqësonte një alternativë të rëndësishme për repartin e pasmë të Juventusit.