I transferuar me shumë bujë dhe për të zënë vendin e Nejmarit në Spanjë, Filipe Kutinjo është shumë larg pritshmërive dhe drejtuesit e Barcelonës duket se kanë mbetur të zhgënjyer nga mesfushori brazilian. Ditët e fundit, në media ka dalë lajmi se Kutinjo mund të jetë i sakrifikuari për të arritur sërish te Nejmari.
‘Mundo Deportivo’ ka nxjerrë edhe emrin e klubit që interesohet për Kutinjon dhe bëhet fjalë për gjigandët e Mançester Junajtidit. ‘Djajtë e kuq’ kanë nisur bisedimet me agjentin e futbollistit për të parë mundësinë e kalimit të tij në Premier Ligë. Kjo lëvizje, do të ishte një goditje e madhe e Mançeserit, për vetë faktin se mesfushori e njeh mirë kampionatin anglez.
Ai u largua janarin e kaluar duke lënë Liverpulin për Barcelonën dhe për kartonin e tij, katalanasit shpenzuan rreth 140 milionë paund. Duke parë shpenzimin e bërë në merkato, duket e vështirë që ai të lihet për një shumë më të vogël.