Shkup, 17 janar – Pas refuzimit që i kanë bërë në momentin e parë ofertës së skuadrës turke së Gazientepsporit për Nijas Lenën, duket se drejtuesit e Kukësit kanë nisur ta rimendojnë edhe një herë këtë çështje. Burime të sigurta pranë verilindorëve kanë bërë me dije se në klub ka mbërritur oferta prej 50 mijë eurosh nga klubi turk për të blerë kartonin e struganit, ndërsa presidenti Gjici në bisedimet e para ka kërkuar 150 mijë euro. Megjithatë, pas zyrtarizimit të ofertës, ende nuk ka një përgjigje për 30-vjeçarin. Sipas të gjitha gjasave, Gjici do të ulë pretendimet dhe shifra mund të shkojë në 75 mijë euro. Këto para Kukësi mund t’i përdorë për Floresin nëse do arrijë ta bëjë pjesë të ekipit. Kujtojmë, Lena ka firmosur për një vit me Kukësin dhe aktualisht përfiton një pagë prej 2 mijë euro në muaj. Transferimi në një ligë të madhe evropiane është “treni i fundit” për mesfushorin, për shkak dhe të moshës së tij. Lena tani ka përvojën dhe eksperiencën e duhur, rreth 10-vjeçare në Shqipëri, për të kaluar në një nivel më të lartë, si në vlerë pagesash, ashtu edhe në atë profesionale. Megjithatë, do të shihet deri në fund nëse ky transferim do të realizohet.