Nata e madhe për vëllezërit “Keta” me 8 shtator 2018, në Dibër të madhe, ka rezultuar vërtet e tillë pasi Gjetan Keta ka vendosur mbi brez rripin e titullit botëror në federatën WBU.
Para dy ndeshjeve kryesore janë zhvilluar dy sfida të cilat kanë përfunduar në favor të nxënësve të Ismail Ketës, përkatësisht Roxhers Muslia ka fituar me k.o në raund të 3-të duke regjistruar fitoren e katërt dhe Mikel Alliu ka hedhur me k.o kundërshtarin në raund të 2 duke marrë fitoren e 17-të në kickbox-in amator.
Por sytë kanë qenë tek ata, vëllezërit Keta dhe i pari është ngjitur në ring Ferit Keta.
Pavarësisht statistikave që flisnin në favor të boksierit Turk, Fatih Mehmet Karakus që deri më sot kishte 24 fitore dhe vetëm 2 humbje, në raund të katërt është dorëzuar duke regjistruar humbjen e tretë. Tre raundet e para ishin rivalizuese por dukej qartë dominimi i Ferit Ketës, i cili pas katër raundesh bëri që turku të hiqte dorë.
Sigurisht kryefjala e kësaj mbrëmjeje ishte Mike Gjetan Keta dhe sfida për të marrë titullin botërorë në federatën WBU, në peshën +72kg. Në renditjen e federatës për titull botëror në boksin profesionist qëndronte boshnjaku Sladan Janjanin, që kishte 28 ndeshje në portofolin e tij nga të cilat 25 fitore/19 me k.o. Ndërsa Gjetan Keta, kishte në total 26 ndeshje nga të cilat 22 fitore/18 me k.o.
Raundi i parë ishte një raund i barabartë, i ekuilibruar, të dy studiuan teknikën e njëri-tjetrit por edhe grushtuan me maturi.
Raundi i dytë ishte një raund më i mirë për Gjetan Ketën. Ndërsa në raundin e tretë u shtuan shpërthimet e Tyson-it shqiptar, por kundërshtari gjithashtu e shpërqendronte herë herë me lëvizje sa majtas-djathtas. Në këtë raund dukej se Gjetani kishte “zbërthyer taktikën e kundërshtarit” duke e sulmuar në pikën e dobët. Raundi i katërt solli edhe rrëzimin e parë të kundërshtarit në tokë, por “lufta vazhdoi” duke u përmirësuar.
U shtuan goditjet e njëpasnjëshme nga Keta i cili rriti intensitetin e tyre dhe vetëbesimin në sulmet e tij. Në përfundim të raundit të katërt është zgjatur pushimi pasi kundërshtari kërkoi diçka nga trajneri i tij dhe Ismail Keta. Vazhdoi me provokime raundi i pestë, teksa kundërshtari tentoi vazhdimisht të nxisë Ketën drejt sjelljes antisportive. Pas këtij raundi, Janjanin u dorëzua duke lënë brezin e WBU tek në duart e Gjetanit.
Kwshtu, boksieri shqiptar Gjetan Keta, u shpall kampion botë në peshën 72 kg në federatën WBU. Menjëherë pas ndeshjes ai ka thënë:
“Pa ju nuk mund t’a merrja këtë fitore, jam stërvit fort për tju bërë ju krenar, dhe për të fituar ndaj një kundërshtari me eksperiencë në ring. Ju jam shumë mirënjohës! Kudo që të shkoj do t’a ngrejë më lart flamurin tonë kuqezi”-ka thënë Keta pas fitores së titullit.