Marine AFC është eliminuar nga FA Cup dhe nuk ka asnjë keqardhje, pasi përballë kishin Tottenham. Forcat e rendit kishin punë para ndeshjes, pasi ishin të shumtë ata që donin ta ndiqnin këtë ndeshje historike që skuadra e tyre që garon në ligën e tetë luante ndaj një ekip të Premier League.
Gjithsesi nuk munguan disa fansa në rrethimin e fushës, ku binte në sy një djalë që kishte ardhur me shtatoren prej kartoni të Jurgen Klopp për të ngacmuar Jose Mourinhon, por edhe një zonjë, që kishte një mesazh humoristik për trajnerin portugez.
“Jose, jam beqare dhe gati për lidhje. A e ke numrin e Klopp”, shkruhej në mesazhin që kishte vendosur në anë të fushës një tifoze, ndërsa në pamjet filmike u shfaqën edhe dy zonja që ndiqnin ndeshjen duke konsumuar nga një gotë shampanjë.
Kjo sfidë u mbyll me rezultatin 0-5 në favor të Tottenham dhe futbollistët e Marine AFC dëshironin shumë që të kishin fanellat e kundërshtarëve. Ata nuk mund t’i merrnin direkt prej protokolleve anti-Covid.
“Spurs”-at gjithsesi u kanë bërë atyre një premtim: “Lojtarët nuk mund të ndërrojnë bluzat pas ndeshjes për shkak të protokolleve COVID-19, kështu që ne kemi siguruar skuadrën e Marine AFC që do u japim një set me fanella të reja të ndeshjeve, si një dhuratë për ndeshjen e sotme historike”, thonë nga klubi i Tottenham.