Shumë fotografi të Mesut Ozil u shfaqën në tribunat e stadiumit “Al Bayt” gjatë super ndeshjes së Grupit E mes Spanjës dhe Gjermanisë, e cila përfundoi 1-1, me golat e Morata dhe Fullkrug. Këto foto menjëherë u bënë “virale” në rrjetet sociale për kuriozitetin e ngjallur.
Ky ishte veprimi i shumë tifozëve që zgjodhën ish-përfaqësuesin gjerman për t’i dhënë një përgjigje po aq mediatike formës së protestës që Neuer dhe shokët e tij kishin bërë në fushë, pak para debutimit të tyre në “Katar 2022”.
Gjithçka nisi pas qëndrimit të fortë të kombëtares dhe Federatës Gjermane të Futbollit, të cilët kishin shprehur gatishmërinë për të dalë në fushë me shiritin ylber “One Love”, simbol i luftës në favor të të drejtave të njeriut. Zgjedhje që u kundërshtua nga FIFA, e cila i pengoi kapitenët e kombëtareve të luanin me shiritin e ylberit, duke kërcënuar me pasoja të drejtpërdrejta përmes sanksioneve disiplinore.
“Ne do të jemi gati të paguajmë gjobën”, – deklaroi Neuer, i cili megjithatë, përballë rrezikut të ndëshkimit me karton të verdhë hoqi dorë nga tentativa. Megjithatë, kjo nuk e pengoi kombëtaren gjermane të kryente protestën e “kyçjes së gojës”, e cila gjithsesi rivendosi në qendër të vëmendjes çështjet e të drejtave të njeriut:
“Të mohuarit e shiritit ylber është e barabartë me mohimin e zërit (fjalës). Ne mbajmë qëndrimin tonë. Ne donim ta përdorim shiritin për të mbrojtur vlerat që kemi në kombëtaren gjermane, – shkruajti Federata Gjermane e Futbollit në profilet e saj zyrtare, – diversiteti dhe respekti është i ndërsjellë. Së bashku me kombet e tjera donim që zëri ynë të dëgjohej”.
Më pas, lojtarët u portretizuan me duart në gojë gjatë fotos si ekip para ndeshjes. Duartrokitje dhe përkrahje pati nga të gjitha anët, por në Katar vendimi nuk u tret absolutisht në mënyrën më të mirë dhe kur Gjermania doli e mposhtur në mënyrë sensacionale nga Japonia, tifozët e Katarit dhe opinioni publik u egërsuan, duke kritikuar dhe tallur lojtarët e Flick, që e kishin mendjen më shumë për të protestuar sesa për t’u përqendruar.
Chapeau bas au peuple et au gouvernement du Qatar
Ils ont relevé la tête des Arabes, par Dieu#MesutOzil🇹🇷#FIFAWorldCup2022 🇶🇦🇶🇦 pic.twitter.com/ghsvuSmLcg
— kaz 69 (@kaz6917) November 28, 2022
Por sigurisht që nuk përfundoi kështu, pasi pikërisht me rastin e rikthimit të Gjermanisë në fushë, ata insistuan që t’iu përgjigjen gjermanëve në ndeshjen kundër Spanjës. Neuer dhe shokët e tij e kishin parashikuar se nuk do të ndërmerrnin forma të tjera proteste, kishin menduar ekskluzivisht për ndeshjen vendimtare për fatin e Botërorit, por as kjo nuk ndihmoi shumë.
Gjatë ndeshjes me Spanjën u shfaqën dhjetëra fotografi që përshkruanin një ish-lojtar të Gjermanisë, Mesut Ozil, ndërsa tifozët arabë mbuluan gojën me duar, duke përsëritur gjestin e kombëtares gjermane. Shumë pyesnin se kujt i referoheshin këto fotografi. Historia daton në vitin 2018, kur vetë Ozil vendosi të mos luante më, jo pa polemika, për Gjermaninë. në një Kupë Bote.
Në një deklaratë të gjatë në llogarinë e tij në Twitter, Ozil konfirmoi se nuk do të luante më për kombëtaren gjermane për shkak të formave të “racizmit dhe mosrespektimit” që kishte pësuar pas një fotografie të tij me presidentin Erdogan, figura më e jetëgjatë politike e Turqisë dhe një nga më të diskutuarat ndërkombëtarisht. Gjithçka ndodhi gjatë një vizite në vendlindjen e prindërve të tij.
“Puna ime është ajo e një futbollisti dhe jo politikani, takimi ynë nuk ishte një miratim i asnjë politike. Trajtimi që kam marrë nga DFB dhe shumë të tjerë më ka bërë të mos e vesh më shumë fanellën e kombëtares gjermane, – shkroi Ozil në rrjetet sociale. – Njerëzit me prejardhje diskriminuese racore nuk duhet të lejohen të punojnë në federatën më të madhe të futbollit në botë, që ka lojtarë nga familje me identitet të dyfishtë. Në sytë e tyre unë jam gjerman kur fitojmë, por jam emigrant kur humbim”.
Aty e mbylli Ozil, me hidhërim, karrierën me fanellën e Gjermanisë. Ai luajti 92 herë, shënoi 23 gola dhe fitoi Kupën e Botës 2014. Ato fjalë nuk u harruan dhe kështu, Ozil u bë përgjigja “perfekte” dhe e drejtpërdrejtë për të njëjtën federatë futbolli që sot bëhet kampione e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, por që në të kaluarën ka patur gjithçka, veçse qëndrime nënçmuese për këtë temë.
— محمد الكعبي (@Qatari) November 27, 2022