Berlin, 9 prill – Eksporti gjerman i armëve edhe në tremujorin e parë të këtij viti ka rritje të mëtutjeshme, me ç’rast eksporti rritet në vende që nuk janë anëtare të BE-së, as të NATO-s, transmetoi Hina.
“Në tremujorin e parë të këtij viti Gjermania eksportoi armë në vlerë prej 1,16 miliardë eurove, në krahasim me 1,12 miliardë euro në periudhën e njejtë të vitit të kaluar”, kumtoi sot Qeveria gjermane në pyetje të deputetes së partisë E Majta, Sevim Dagdalen.
Për dalim nga viti i kaluar kur pjesa më e madhe e eksportit të armëve dedikohej për ndonjërën nga vendet e BE-së, këtë vit pjesa më e madhe bie në eksportin në të ashtuquajtura vende të treta, që nuk janë anëtare të BE-së dhe të NATO-s.
Ekspertët vlerësojnë se vlera e eksportit prej gjithsej 615 milionë euro në të ashtuquajtura vende të treta në pjesë më të madhe i referohet dërgesës së një nëndetëseje për Egjiptin.
Organizatat joqeveritare deri më tani shpesh herë e kanë kritikuar eksportin armatimit gjerman dhe pajisjes ushtarake për Egjiptin, i cili merr pjesë aktive në luftën në Jemen.
Qeveria gjermane vitin e kaluar miratoi eksport të armatimit në vlerë prej më shumë se tetë miliardë eurove.
Deputetja Dagdalen i bëri thirrje qeverisë ta ndërrojë politikën e eksportit të armëve.
Sipas të dhënave të Instituti suedez për ndjekje të tregtisë me armë – Sipri, Gjermania gjatë periudhës prej vitit 2015 deri në vitin 2019, në krahasim me periudhën prej vitit 2010 deri në vitin 2014 e rriti eksportin e saj të armëve për 17 për qind.(koha.mk)