“Një vit më parë, Gjermania rezultonte se ishte ‘vendi më i mirë’ sipas klasifikimit të Wharton School, e Universitetit të Pensilvanisë. Klasifikimi bazohej në kritere të ndryshme mbi prirjet sipërmarrëse, pushtetin, cilësinë e jetës, e të tjera. Megjithatë, për një numër në rritje gjermanësh, gjëja më e rëndësishme ishte ajo që konfirmonte imazhin, që ata e kishin tashmë për vendin e tyre”. Kështu hapet një artikull-polemikë në revistën amerikane Foreign Policy, në lidhje me Gjermaninë, me titull “Gjermania ka një problem arrogance” dhe autor Paul Hockenos. “Qoftë kur bëhet fjalë për imigrimin apo prodhimin industrial, politikat fiskale apo energjitë e rinovueshme, gjermanët janë gjithmonë të bindur se ata, dhe vetëm ata, dinë më shumë se të tjerët. (…) Në gjermanisht, ky fenomen përmblidhet me fjalën: ‘Besserwisserei’, pra një sjellje e tipit “e di unë më mirë”, që vetë gjermanët e pranojnë, në një farë kuptimi, që e kanë tipar kulturor të lindur. ‘Besserwisserei’ mund të jetë edhe një tipar kulturor me rrënjë shekullore, por Gjermania ka më shumë fuqi sot, mbi të gjitha në Bashkimin Evropian, se sa në cilëndo epokë tjetër, me aq sa mbahet mend. Pjesa tjetër e Evropës, me siguri e ka vënë re që gjërat bëhen gjithnjë e më shumë sipas mënyrës gjermane, edhe kur është e diskutueshme – apo siç thonë kritikët e vendeve të tjera, evidente – se mënyra gjermane nuk është më e mira. Pyetja e madhe për të ardhmen e Evropës është, nëse edhe gjermanët, herët a vonë, do të vetëdijesohen. Akuzat për egoizëm dhe sjellje arbitrare janë relativisht të reja. Mes viteve 1949 dhe 1990, Republika e Bonit, Gjermania Perëndimore, ishte rreshtuar përulësisht në aleancën perëndimore. Sovraniteti i vendit në periudhën e pasluftës, mbahej nën kontroll prej aleatëve perëndimore (dhe në Lindje nga Bashkimi Sovjetik) dhe udhëheqësit e saj përpiqeshin që ta lironin pak e nga pak shtrëngimin përmes veprimeve dashamirëse. Dhe pikërisht duke bërë gjermanët e mirë (dhe evropianët e mirë) ia dolën që të bashkojnë Gjermanitë në vitin 1990”. Pas një periudhe përshtatjeje politike dhe ekonomike që zgjati deri në vitet 2000, Gjermania u shndërrua nga i sëmuri i Evropës, në lokomotivën industriale të kontinentit. Në të njëjtën kohë, gjermanët filluan të bëhen “gjithnjë e më pedantë, dhe ta trajtojnë politikën ekonomike si një klub etik. Nuk ka shembull më të mirë për këtë, se sa episodi i famshëm kur Merkeli ftoi në mënyrë shpërfillëse, vendet e jugut të Evropës, që të administronin ekonomitë e tyre si një amvisë e Suabisë: me zell, nikoqirllëk dhe plot burime. Mes rreshtave – sugjeron Hockenos – lexohej ajo që politikanët e ndryshëm gjermanë, më vonë e kanë thënë me zë të lartë, domethënë që e kundërta e amvisës ishin evropiano-jugorët, dembelë dhe xhepashpuar”.