Gjermania mohon ta ndihmojë financiarisht Turqinë: Nuk është prioriteti ynë

Gjermania nuk po konsideron t’i ofrojë Turqisë “një litar shpëtimi” financiar, për ta ndihmuar atë të kapërcejë një krizë të shkaktuar nga një zhvlerësim i shpejtë i monedhës turke, Lira.

Wall Street Journal raportoi më parë se qeveria gjermane po shqyrtonte dhënien e një ndihme financiare të jashtëzakonshme, ndaj aleatit të saj në aleancën ushtarake të NATO-s.

“Pozicioni ynë nuk ka ndryshuar. Ashtu siç e thamë edhe në deklaratën zyrtare të qeverisë, më 20 Gusht, dhënia e ndihmës ndaj Turqisë, nuk është një prioritet i Gjermanisë në këto momente”, deklaroi një zyrtar gjerman, për agjencinë e lajmeve, Reuters.

Qeveritë, turke dhe gjermane, po përpiqen të përmirësojnë marrëdhëniet e tensionuara nga ndalimi i shtetasve gjermanë dhe kritikat gjermane ndaj masave të sigurisë të presidentit Rexhep Taip Erdogan, pas një grushti të dështuar shteti në vitin 2016.

Në muajin shtator, Erdogan do të kryejë një vizitë zyrtare në Gjermani, në përpjekje për të rivendosur marrëdhëniet e mira dhe bashkëpunuese mes palëve.