Beograd, 14 nëntor – Gjermania është kundër ndryshimit të kufijve mes Serbisë dhe Kosovës si model për zgjidhjen e çështjes së Kosovës dhe ai qëndrim nuk do të ndryshojë, ka deklaruar sot ambasadori gjerman në Serbi Tomas Shib, duke vlerësuar se qëndrimin e tillë e ndajnë edhe shumë shtete tjera të BE-së dhe rajonit.
“Kancerlarja Angela Merkel në shumë raste e ka dhënë qëndrimin e saj, ndërsa ai qëndrim vlen edhe më tej. E di se kishte spekulime se Gjermania mund ta ndryshojë qëndrimin, por jo, mbetet ai qëndrim”, ka thënë Shib për televizionin N1.
Ai ka shtuar se Gjermania është e shqetësuar nëse vjen deri te ndryshimi i kufijve apo shkëmbimi i territoreve pasi ajo mund të ketë implikime në rajon, se mund të sjell në zgjidhjen e problemeve, por mund të shkaktojë probleme në vendet e tjera në rajon.
Shib ka thënë se nuk është e vërtetë se me një shkëmbim të vogël territoresh do të zgjidhet nyja kosovare dhe ka shtuar se ndryshimi i kufijve e shpërqendron vëmendjen nga çështje tjera, siç janë mbrojtja e pakicave, mbrojtja e trashëgimisë kishtare dhe të tjera.