Rajoni do të arrijë përparim të vërtetë në aspekt ekonomik, atëherë kur BE dhe Gjermania do të detyrojë Ballkanin perëndimor me afate të caktuara të realizojë reformat dhe të ec përpara, vlerëson kryetari i Odës ekonomike, Branko Azeski
Fisnik Pasholli
Shkup, 13 shtator – Gjermania mbetet kryefjala e zgjerimit të BE-së, anëtarësimit të shteteve të rajonit në Evropë, bashkëpunimit të tyre të ndërsjellë , si dhe realizimit të reformave të ndryshme në rrugën e aderimit në Unionin Evropian. Kjo u theksua ndër të tjerash, në ditët e hapura të agjendës investuese rajonale të Ballkanit perëndimor të organizuar të mërkurën në Shkup nga ana e Qendrës për hulumtim dhe krijimin e politikave. Duke shpjeguar rëndësinë e madhe të integrimit të shteteve të rajonit në BE që nënkupton edhe përmirësimin e mirëqenies së qytetarëve, kryetari i Odës ekonomike të Maqedonisë , Branko Azeski theksoi se sot bile situata ekonomike në gjashtë shtetet e Ballkanit perëndimor, është edhe më e vështirë se në fillim të viteve 90-të. Ai këtë e mbështet me statuset e ndryshme të shteteve të rajonit lidhur me procesin e anëtarësimit në BE, problemet e mëdha me infrastrukturën transportuese në rajon, faktin se borxhi i ish Jugosllavisë ishte afër 17 miliardë euro, ndërsa tani shtetet e rajonit kanë borxh prej më shumë se 300 miliardë euro etj. Në rajon nevojitet të vijë Gjermania duke investuar miliarda euro me qëllim që menjëherë të përmirësohet gjendja ekonomike .Në këtë drejtim megjithatë unë jam optimist se dot kemi progres falë edhe angazhimit të Berlinit , që besoj që besoj se si proces do të arin kulminacionin gjatë kryesimit të ardhshëm gjerman me BE-në , prej korrikut deri në dhjetor të vitit 2020”, theksoi Azeski. “Rajoni do të arrijë përparim të vërtetë në aspekt ekonomik, atëherë kur BE dhe Gjermania do të detyrojë Ballkanin perëndimor me afate të caktuara të realizojë reformat dhe të ec përpara”, vlerëson , Branko Azeski. Nga ana tjetër, profesori universitetar Vanço Uzunov, theksoi se Gjermania përmes bashkëpunimit energjetik dhe infrastrukturor synon avancimin e ekonomisë së rajonit. “Thuhet se ballkanasit bashkëpunojnë kur ndërhyjnë gjermanët. Andaj në këtë drejtim janë kyçe dy gjëra si infrastruktura transportuese dhe ajo energjetike që parashikohen me procesin e Berlinit. Me fjalë të tjera synohet anulimi i barrierave në këmbimin e mallrave dhe njerëzve dhe bashkimi i tregjeve kombëtare të energjetikës në tregje rajonale. Kjo do të anulojë edhe një dukuri prezente vetëm në rajon që shtetet e Ballkanit më shumë tregtojnë me BE-në se sa midis tyre” shtoi më tej Uzunov. Ai më tej shprehu optimizmin se në të ardhmen do të tejkalohen problemet me qarkullimin më të shpejtë të mallrave , ku kamionët nuk do të presin më në kufijtë e rajonit nga dy ditë, por vetëm nga 30 minuta. Nga ana tjetër, ministri pa portofol i angazhuar për përmirësimin e biznes ambientit, Zoran Shapuriq, theksoi se Maqedonia përkundër faktit se nga viti 2005 është shtet kandidat për anëtarësim në BE, prej atëherë fare pak ka lëvizur në këtë drejtim. “ Përvojat e shteteve si Kroacia, Bullgaria ,Rumania, Mali i zi etj tregojnë se reformat e vërteta në një shtet që aspiron anëtarësimin në BE, vijnë me vetë procesin e negociatave për anëtarësim “, shtoi Shapuriq. Ai pret edhe fitimin e datës për negociata të Maqedonisë më qershor të vitit 2019 dhe fillimin e tyre në fund të vitit 2019 apo fillim të vitit 2020. Marija Risteska , drejtoreshë e Qendrës për hulumtimin dhe krijimin e politikave tha se Maqedonia është e para në rajon që fillon dialogun trepalësh midis qeverisë , biznesit dhe organizatave joqeveritare lidhur me politikat investuese. Më vonë në këtë debat do të kyçen edhe shtetet e tjera të Ballkanit perëndimor. “ Kjo paraqet projektin e parë në rajon që inkuadron edhe organizatat joqeveritare në krijimin e politikave investuese .Ne vlerësojmë se pjesëmarrja edhe e organizatave joqeveritare që përfaqësojnë nevojat e qytetarëve në raport me odat ekonomike që përfaqësojnë biznesin ka një rëndësi të madh, për shkak se në këtë mënyrë adresohen dhe orientohen nevojat dhe interesat e qytetarëve lidhur me politikat investuese”, shtoi Risteska. Ndryshe, ai që njihet tashmë si “Procesi i Berlinit” është edhe forma përmes së cilës do të mbahet ritmi integrues i Ballkanit. Në kushtet e rritjes së forcave euroskeptike në Bruksel dhe një stopimi 5-vjeçar të zgjerimit deklaruar nga presidenti i Komisionit Jean Claude Juncker, procesi i hapur në Berlin shihet si rruga për ta mbajtur gjallë dialogun politik integrues të vendit. Në konferencën e Berlinit në fund të muajit gusht të vitit 2014 , i është kërkuar BE-së një ndarje më e favorshme e fondeve të Bashkimit Evropian për rajonin, duke marrë parasysh faktin se vetë vendet e BE-së marrin 5-6 herë më shumë para sesa vendet e rajonit, duke krijuar edhe hendekun e madh mes tyre.