Gjermania kërkon 13 mijë infermierë: Në listë edhe Maqedonia

Forcat e ardhshme punëtore, sipas ministrit, do duhet të mësojnë gjermanisht që në vendin e origjinës. Si vende të mundshme për një projekt të tillë parashikohet Kosova, Maqedonia, Filipinet dhe Kuba. Por në vendet e prekura të Ballkanit, kjo iniciativë nuk pritet me entuziazëm, me autoritetet maqedonase që shprehen se projekte të tilla nxisin më shumë seç duhet emigrimin e të rinjve, të shkolluar mirë në vend

Shkup, 23 dhjetor – Prej kohësh është dhënë alarmi në vendin tonë se mjekët dhe infermierët janë duke u larguar dhe sistemi mjekësor po ngelet pa personel. Pjesa më e madhe e tyre shkojnë në Gjermani, ku ju sigurohen kontrata pune dhe pagesa të kënaqshme e kjo i bën që të mos kthehen më në atdhe. Por Gjermania ka vendosur të ndërmarrë një tjetër hap për të rritur sa më shumë numrin e infermierëve në vend.

Sipas ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn shteti gjerman synon të financojë shkollimin e tyre jashtë vendit, pasi Ballkani nuk është shumë entuziast për këtë iniciativë. Kështu fillimisht u tha se ky shtet do të punësonte 8 mijë infermierë, por tani është korrigjuar shifra në 13 mijë infermierë të rinj.

Mirëpo sipas DË, kjo shifër nuk do të mjaftojë, sepse gjendja është edhe më dramatike. Për shkak të mungesës së infermierëve, shumë të moshuar në qendrat e të moshuarve nuk marrin kujdesin e duhur dhe 36.000 vende pune në infermieri janë të pazëna, 15.000 prej tyre vetëm në qendrat e të moshuarve. Akoma më urgjente paraqitet situata në kujdesin shëndetësor në shtëpi. Spahn ka dalë me propozimin e ri, i cili synon që forcat e nevojshme për kujdesin shëndetësor në Gjermani t’i trajnojë jashtë vendit. Ai sqaroi se nga komisioni parlamentar buxhetor është marrë një shumë prej 9 milionë eurosh, e me këto para mund të gjenden partnerë jashtë Gjermanisë që të shkollojnë forca punëtore për kujdesin shëndetësor.

Forcat e ardhshme punëtore, sipas ministrit, do duhet të mësojnë gjermanisht që në vendin e origjinës. Si vende të mundshme për një projekt të tillë parashikohet Kosova, Maqedonia, Filipinet dhe Kuba. Por në vendet e prekura të Ballkanit, kjo iniciativë nuk pritet me entuziazëm, me autoritetet maqedonase që shprehen se projekte të tilla nxisin më shumë seç duhet emigrimin e të rinjve, të shkolluar mirë në vend.