Berlin, 1 mars – Ekonomia gjermane do të ndiejë efektet negative të pandemisë së koronavirusit të paktën deri në vitin 2025, kumtoi sot Instituti për Hulumtim të Punësimit (IAB).
“Si rezultat i krizës në pesë vitet e ardhshme, shkalla e rritjes ekonomike në vend do të ulet me 0,6 pikë përqindjeje”, deklaroi bashkëautor i raportit të IAB, Enzo Veber.
Nga ana tjetër, tregu i punës do të përballet me rënie afatgjatë të numrit të të punësuarve, neto me rreth 200.000 të punësuar deri në vitin 2025, shtoi ai.
Pasojat afatgjata të pandemisë do të prekin më së shumti shitjen me pakicë, shërbimet e biznesit, hotelierisë, transportit dhe aviacionit, paralajmëron IAB.
Sektorët e vetëm në të cilët priten efekte pozitive janë teknologjia e informacionit (TI), shërbimet publike dhe produktet farmaceutike.
IAB parashikon që, në lidhje me pandeminë, do të humbasin gjithsej 500.000 vende pune, ndërsa do të krijohen 300.000 vende të reja të punës.
“Pandemia shkaktoi një krizë që nxiti ndryshime dramatike”, tha Veber, duke kërkuar që përqendrimi të vendoset në trajnimin dhe krijimin e vendeve të reja të punës për të tejkaluar krizën.