Jyrgen Klop është njeriu i momentit: trajneri i vitit dhe kampion i Europës me Liverpulin e tij. Por, sipas “Sunday Mirror”, kombëtarja gjermane mund ta tentojë që ta rikthejë në shtëpi.
Sipas tabloidit britanik, 52-vjeçari mendohet nga Federata Gjermane e Futbollit si pasardhësi i Joakim Lëvit në stolin e “pancerave” dhe Liverpuli është i shqetësuar se tekniku mund ta pranojë propozimin e DFB-së në rast se ata do të bënin një ofertë. Në fakt, nuk është një sekret që Klop e ka shprehur dëshirën për të drejtuar një ditë 4 herë kampionët e botës.
Ai ka refuzuar ofertën e fundit të “reds”-ave për t’i rinovuar kontratën që skadon në vitin 2022, e cila do ta bënte një nga trajnerët më të paguar në Angli. Klop e ka pranuar se ai po konsideron bërjen e një viti pushim në përfundim të kësaj marrëveshjeje.