Dëbimi i një djaloshi dymbëdhjetëvjeçar nga Gjermania për në Maqedoni ka shkaktuar debate të ashpra, shkruan „Hessenschau“, përcjellë Shtegu.com. Sipas informatave të Këshillit të refugjatëve, djaloshi është dëbuar i vetëm mëngjesin e së hënës, përderisa gjyshja e tij e ka të drejtën e përkujdesjes dhe aktualisht është e shtrirë në spital. Ai është dashur të pranohet nga babai i tij i dhunshëm dhe i varur nga droga, i cili për shkak të delikteve të shumtë, ka vuajtur dënime afatgjata me burg. Nëna e tij gjithashtu e varur, tashmë ka vdekur.
Sipas të përdithsmes gjermane „Frankfurter Rundschau“ (FR), ekziston një dokument në të cilin prindi është deklaruar se është i varur nga droga dhe se për shkak të „shëndetit të shkatërruar“ nuk mund të kujdeset për fëmijën.
Këshilli i refugjatëve ka sqaruar se djaloshi ishte arratisur me gjyshen për në Gjermani duke banuar në Alsfeld (Vogelsberg). Për shkak të traumave të shumta në fëmijëri, dymbëdhjetëvjeçari bie në sy me sjelljet e tij problematike dhe është dërguar në një ent special për të rinj.
Këshilli rajonal i Giessenit, sqarimin e Këshillit të refugjatëve e ka vlerësuar si jo korrekt. Sipas informatave të autoriteteve, që nga muaji mars i vitit 2016, djaloshi nuk ka jetuar më me gjyshen e cila më nuk e ka pasur atë të drejtë. Për shkak të së drejtës private të të miturit dhe gjyshes së vet, nuk mund të shqyrtohet situata mjekësore dhe psikike. Kjo vlen edhe për akuzat penale kundër babait, të cilat „bazohen vetëm në të dhënat e gjyshes“.
Dëbimi i të miturit është diskutuar paraprakisht me autoritetet maqedonase dhe ai është shoqëruar rreptë nga të dyja palët. Mesditën e së hënës, babai e ka pranuar djalin në Aeroportin Aleksandri i Madh të Shkupit, kanë theksuar nga Këshilli rajonal. Ministria e Brendshme maqedonase i ka garantuar autoritetet gjermane se është siguruar përkujdesja përkatëse për të miturin në Maqedoni dhe se është kontaktuar edhe babai që është në kontakt me ta.
Edhe në këtë rast, Këshilli rajonal ka vepruar sipas Ligjit, duke ia dorëzuar djaloshin anëtarëve të familjes, kanë pohuar nga autoritetet përkatëse. Nga ana tjetër, Këshilli i refugjatëve kërkon që sa më shpejt të anulohet deportimi dhe djaloshi të ktehet në Gjermani. (Shtegu.com)