Berlin, 8 korrik – Stabiliteti dhe zhvillimi i Ballkanit Perëndimor janë jetike për Evropën, ndërsa stabiliteti i qëndrueshëm kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme midis Prishtinës dhe Beogradit, kumtoi Ministria e Punëve të Jashtme gjermane pas një takimi midis Ministrit të Punëve të Jashtme, Hajko Mask dhe përfaqësuesit special të BE-së, Mirosllav Lajçak.
Ballkani Perëndimor është lartë në agjendën e presidencës gjermane me Këshillin e BE-së, kumtoi ministria mbrëmë në Tuiter.
“Ne dëshirojmë një përparim të shpejtë, të dukshëm për njerëzit e rajonit. E ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Evropë. Kjo është arsyeja pse BE-ja duhet të ketë një rol udhëheqës”, thonë nga ministria.
Shtohet se stabiliteti i qëndrueshëm në rajon kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe të qëndrueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
“Ky është një parakusht kryesor për realizimin e perspektivës evropiane të të dyja vendeve”.
Përfaqësuesi special i BE-së, Mirosllav Lajçak, dje në Berlin u takua me presidentin gjerman Frank-Valter Shtajnmaer, ministrin gjerman të Punëve të Jashmte, Hajko Mas dhe këshilltarin e Punëve të Jashtme të Angela Merkelit, Jan Heker.
“Ne diskutuam edhe për dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës, me të cilin ndërmjetëson BE-ja dhe rëndësinë e takimit të parë në një nivel të lartë politik, i cili organizohet më 12 korrik pas samitit në Paris”, ka shkruar Lajçak në Tuiter.
Kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emanuel Makron të premten më 10 korrik organizojnë video-samit dedikuar Ballkanit Perëndimor dhe dialogut midis Prishtinës dhe Beogradit.