Gjermania është në lëvizje sa i takon pranimit dhe largimit të njerëzve. Vetëm nga BE në dhjetëvjeçarin e fundit drejt Gjermanisë kanë emigruar 4.3 milion banorë. Të parët janë polakët 783.000, më pas ndiqen nga italianët 611.000 si dhe rumunët, grekët dhe kroatët.
2015 – viti i strehimit në Gjermani
Viti që ndryshoi shumë shifra të emigrimit në Gjermani është 2015. Kjo si pasojë e valës së refugjatëve nga Lindja e Mesme. Në 2015 numrin më të madh të emigrantëve në Gjermani përbënin sirianët 326.000, ndjekur nga rumunët (212.000) dhe polakët (189.000). Më pas vijnë afganët (94.000), bullgarët (83.000) , irakenët (71.700) dhe italianët (71.500). Rritja e popullsisë në Gjermani është mundësuar vetëm falë pranimit të emigrantëve, pasi numri i vdekjeve të banorëve vendas është më i madh se numri i lindjeve.
Ku emigrojnë gjermanët?
Në kohën kur Gjermania ka pranuar 2.1 milion emigrantë në 2015, ka 100.000 gjermanë që kanë kërkuar fatin e tyre jashtë territorit të Gjermanisë. Shumica e gjermanëve emigrojnë në Zvicër (18.300), ndjekur nga SHBA (13.400) dhe Austria (10.200). Britania e zë vendin e katërt (8900), ndërsa vendin e pestë Turqia që ka pranuar 6750 gjermanë.