Rriten në mënyrë të ndjeshme shitjet e librit të Adolf Hitler “Mein Kampf” (Lufta ime) në Gjermani. Botuesi i një varianti special me shënime të librit të famshëm thotë se 85 mijë kopje janë shitur vetëm gjatë vitit të kaluar. Bëhet fjalë për manifestin nazist antisemitik që në këtë ribotim përmban dhe shënime kritike nga studiuesit gjermanë. Botuesi i këtij libri, Andreas Wirsching i cili është drejtori i Institutit të Historisë Bashkëkohore në Mynih, thotë se shifrat janë vërtet mbresëlënëse. Ndaj dhe instituti ka vendosur që të bëjë ribotimin e gjashtë në fund të janarit. Ndryshe nga botimet e periudhës naziste, ky botim i “Mein Kampf” ka një kopertinë të bardhë pa fotografinë e Hitlerit. Svastika dhe simbole të tjera naziste janë të ndaluara me ligj në Gjermani. Vendimi për të ribotuar librin famëkeq është kritikuar shumë nga grupet e hebrenjve. “Mein Kampf” (Lufta Ime) u botua për herë të parë në vitin 1925, 8 vite përpara se Hitleri të vinte në pushtet. Libri përmban idetë raciste që nazistë vunë në jetë më vonë përfshirë edhe denigrimin dhe shtypjen e hebrenjve dhe sllavëve.