Vjen në festivalin e fundvitit në RTVSH por këtë herë si këngëtarë edhe pse herave të tjera ka marrë pjesë si autorë i këngëve. Gjergj Kaçinari, djaloshi simpatik dhe emri premtues i skenës që tashmë e ka dëshmuar veten vjen në një intervistë ekskluzive për InfraRed të gazetës KOHA ku tregon planet për festivalin dhe pas tij
Bisedoi: Blerand REXHEPI
KOHA: Keni publikuar së fundmi këngën më të re me të cilën konkurroni në festivalin e fundvitit në RTVSH, na flisni pak më shumë rreth realizimit të këtij projekti?
Përshëndetje dhe faleminderit për intervistën. “Më jep jetë” është një këngë e shkruar para shumë vitesh (si çdo tjetër single – në anglisht) e cila gjithmonë më ka sjellë ndërmend atmosferën e festivalit – lloji i këngës, orkestrimi, çdo gjë që lidhet me të. Vendosa ta adaptoj në shqip, në bashkëpunim me Ilir Krasniqi dhe mendoj që është arritur një produkt interesant.
KOHA: Teksti është i thellë dhe jeni shprehur se ka të bëj me një ndjenjë të jashtëzakonshme. Çfarë emocioni ju jep momenti kur interpretoni atë?
Teksti është mjaft personale dhe e gjithë kënga, edhe pse zhvillohet dhe bëhet dinamike, mbetet intime dhe vërtetë po pres momentin kur ta këndoj live në festival që të përjetoj emocionet e vërteta.
KOHA: Vini për herë të parë në këtë festivali, pse vendosët që ta sprovoni veten në këtë kompeticion muzikor?
Kam marrë pjesë shumë herë në këtë festival si kompozitor, orkestrues, instrumentist, etj, por hera e parë si këngëtar. Ndoshta kësaj radhe isha i bindur mjaftueshëm për materialin muzikor që i përshtatet formatit të festivalit.
KOHA: Cilat janë pritshmëritë në këtë festival. Mendoni se do ju ndjek i njëjti fat si në kompeticione tjera ku edhe keni triumfuar?
Asnjëherë nuk kam pritshmëri dhe pjesëmarrja në festivale është diçka që unë e bëj për kënaqësi dhe s’kam pasur kurrë interes tek pjesa e konkurrimit në vetvete. Ajo që unë dua është të arrijë një produkt final dhe performancë sa më profesionale dhe emocionale që kënga të transmetohet në mënyrën më të mirë tek publiku dhe fatmirësisht, këngët janë vlerësuar shpesh në klasifikime, çmime mbi krijimin, produksionet, video, etj, por ky është festival, si vetë fjala, një eveniment festiv ku gjëja e fundit që ka rëndësi për mua është i sati radhitem.
KOHA: Keni dëgjuar këngët konkurruese, keni ndonjë favorit?
“Vallja e Jetës”. Është një këngë për të cilën kam bashkëpunuar sërish me Kastro Zizo për ta sjell në jetë. Mjaft energjike, e drejtpërdrejtë, origjinale, totalisht ndryshe.
KOHA: Si do të jetë performanca juaj nëse vazhdoni në finale?
Nëse kualifikohem në finale do jem totalisht i përqendruar tek këndimi, por këngët kualifikuese do të performohen natën e dytë në një version unplugged (akustik) dhe kjo sigurisht e bën mjaft interesante.
KOHA: Po cilat janë projektet që keni punuar deri më tani apo jeni fokusuar pikërisht tek kënga e festivalit?
Ky vit ishte shumë sfidues për këdo, kudo. Planet sigurisht u shtynë, u deformuan e u përshtatën me situatën. Kryesisht performancat live kanë përbërë pjesën më të madhe të aktivitetit muzikor, produksionet e tyre duke i sjellë në formë DVD online (kryesisht në kanalin tim personal në YouTube) por me të mbaruar kjo situatë, do të sjell diçka shumë ndryshe, që as unë s’e kam shikuar veten time më parë ashtu, por kaq mund të them, ju premtoj që do të kemi një intervistë në momentin e parë që do të finalizohet projekti.