“Prej skenës politike, ende po trajtohet seriozisht Gjergj Dedaj, i njohur me epitetet: Gjergj Bunari, Gjergj mashtruesi e Gjergj borxhliu. Kjo është shenjë e keqe. Ky shi mund të jetë dënim nga Zoti për qasjen serioze ndaj tij”, shkruan gazetari Olluri. “Pa të rreh UÇK-ja as mos të ju bjen mend me lypë, me u bo Ambasador diku”, ironizon analisti Valon Syla. Deputeti Zeka ndërkohë shkruan se “Dedaj është turpi i Qeverisë dhe i gjithë Kosovës”
Shkup, 31 korrik – Reagime të ashpra, ironizime dhe tallje pas lajmit se Gjergj Dedaj, zëvendësministër aktual i Punëve të Jashtme i Kosovës, do të jetë ambasadori i ardhshëm i Republikës së Kosovës në Maqedoni, shkruan gazeta KOHA. Gazetarë dhe intelektualë të shumtë nga Kosova kanë shkruar se vendimi për emërimin e Dedajt për ambasador në Shkup, është vendim i turpshëm i institucioneve të Kosovës dhe se Dedaj si ambasador nuk i bën nder askujt, e aq më pak shtetit të Kosovës.
Deputeti i partisë Nisma Socialdemokrate, Milaim Zeka, e ka quajtur atë turp të Qeverisë dhe ka kërkuar shkarkimin e tij. “Gjergj Dedaj është turpi i Qeverise. Turp për ata që e kane propozu, turp për ata që e kanë emëru, edhe ma turp nëse nuk e shkarkoni”, ka thënë deputeti Zeka, ndërsa ka komentuar deklaratën e zëvendësministrit Gjergj Dedaj, i cili ditë më parë i ka quajtur Serbinë dhe Turqinë “Shtrigat e Ballkanit”.
“Prej këtyre që i ka shti UÇK-ja në bunar, më duket Gjergji ka pësu më së shumti trauma. Me gjasë, këtj i kanë ba edhe najsend tjetër”, ironizon në profilin e tij, drejtori i portalit “Insajderi”, Parim Olluri.
“Prej skenës politike, ende po trajtohet seriozisht Gjergj Dedaj, i njohur me epitetet: Gjergj Bunari, Gjergj mashtruesi e Gjergj borxhliu. Kjo është shenjë e keqe. Ky shi mund të jetë dënim nga Zoti për qasjen serioze ndaj tij”, shkruan më tej Olluri.
Ka ironizuar edhe editori i portalit “Gazeta Metro”, njëherësh analist, Valon Syla. “Pa të rreh UÇK-ja as mos të ju bjen mend me lypë me u bo Ambasador diku”, shkruan Syla, transmeton KOHA.
Ndryshe, lajmi se Gjergj Dedaj do ta zëvendësojë Ylber Hysën në postin e ambasadorit në Shkup paradite e transmetuan mediat në Prishtinë, duke publikuar kështu propozimin e ministrit të Jashtëm, njëherësh zëvendëskryeministër i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli.
Propozimi i Pacollit tashmë i është dërguar Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme, ku kërkohet që Dedaj të procedohet si ambasador i Republikës së Kosovës në Maqedoni. Në këtë propozim, ndër të tjera thuhet që Dedaj i plotëson të gjitha kushtet ashtu siç e parasheh Ligji në fuqi, përcjell gazeta KOHA.
Gjergj Dedaj ndërkohë konsiderohet si person kontrovers, pasi në të shumtën e rasteve, ka dhënë deklarata fyese madje edhe ndaj shteteve dhe etniteteve të ndryshme. Së fundmi, pak ditë më parë, Dedaj kishte thënë se “Serbia dhe Turqia janë shtrigat e Ballkanit”. Me Dedajn mediat u tallën edhe me Raportin që i njëjti i kishte dërguar kryeministrit Ramush Haradinaj lidhur me punën 100-vjeçarë të tij si zëvendësministër i Punëve të Jashtme.
Me shumë gabime gjuhësore, Dedajt në Raportin dy faqe që i kishte dorëzuar Haradinajt, kishte shkruar se në 100 ditët e paratë punës, ai kishte vënë kurorë lulesh në Vlorë tek përmendorja e lirisë. Ndryshe, sipas mediave kosovare, gjatë luftës së Kosovës, flitet se pikërisht Gjergj Dedaj ishte kapur nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, pasi i njëjti ishte dyshuar se është bashkëpunëtorë i Serbisë. (koha.mk)