Gjeopolitika e Xi Jinping

 

Nga Mu CHUNSHAN

Gjatë Sesionit të 6-të të Plenumit të 18-të Komitetit Qendror të Partisë Komuniste Kineze, të mbajtur tetorin e kaluar, presidenti kinez, Xi Jinping, ka siguruar titullin e bërthamës (hexin) të lidershipit. Hu Jintao, paraardhësi i tij, nuk e ka pasur ndonjëherë këtë nder në 10 vite si Sekretar i Përgjithshëm i Partisë. Kurse Xi i kanë mjaftuar 4 vjet për t’u bërë lideri i 4-ët kinez që e merr një titull të tillë pas Mao Ce Dunit, Ten Hsiao Pinit dhe Zhang Zeminit. Në të vërtetë, qysh përpara se të bëhej “bërthama” e partisë, presidenti aktual kinez e kishte kaluar Hu në termat e strategjisë gjeopolitike, duke tronditur botën me disa prej lëvizjeve të tij. Ndoshta pikërisht kjo është një prej elementëve për të cilën kinezët e vlerësonin.

FONDI STRATEGJIK

Vizioni gjeopolitik i Xi manifeston 3 karakteristika. E para është përdorimi i mjeteve ekonomike për të arritur objektiva politikë dhe strategjikë. Masa më e rëndësishme gjeo-ekonomike e planifikuar prej tij është padyshim Belt and Road Initiative (BRI). Kjo për Kinën e sotme ka një rëndësi të krahasueshme me atë të programit të “reformës dhe hapjes” të promovuar në të kaluarën nga Deng dhe me zhvillimin e ekonomisë të parafiksuar nga Zhang. Midis 10, 20 vjetësh, BRI-ja do të prodhojë një influencë pozitive mbi zhvillimin e Kinës dhe historia do ta njohë si marka e epokës Xi.

Ka shumë shembuj të tjerë përveç Rrugës së Re të Mëndafshit që mund ta dëshmojnë këtë fenomen. Për shembull, bashkë-themelimi i New Development Bank të vendeve BRICS dhe e Contigency Reserve Arrangement të saj, fondit strategjik të kapitaleve rezervë, ku Kina ka kontribuar në masën 40%. Në vitin 2014, Pekini ka caktuar një hua 5 miliard dollarëshe për të financuar projektet e përbashkëta e Organizatës së Bashkëpunimit të Shanghait; në vijim ka vënë në dispozicion një kapital prej 3 miliard dollarësh për të promovuar bashkëpunimin me vendet e Europës Lindore dhe ka investuar në projekte për zhvillimin e centraleve me energji bërthamore në Mbretërinë e Bashkuara. Ka mbështetur edhe ekonomikisht projektin e vendeve latino-amerikane për krijimin e hekurudhës që do të lidhë Oqeanin Atlantik me Oqeanin Paqësor. Së fundi, ka propozuar themelimin e Asian Infrastructure Investment Bank (AIIB). Arsyeja e gjithë kësaj është e lehtë për t’u kuptuar. Pas 30 vjetësh, politika e “reformës dhe hapjes” i ka mundësuar qeverisë dhe sipërmarrjeve kineze që të kenë para të mjaftueshme për të influencuar botën me ekonominë, instrument pushteti që vendet e tjera e pranojnë më me lehtësi sesa ajo politike dhe ushtarake. Veç kësaj, për Republikën Popullore ka ardhur momenti që të ndryshojë rregullat e lojës gjeopolitike të vendosura nga vendet perëndimore. Nga kjo pason aktiviteti më i madh kinez në skenën ekonomike botërore, politika më e ashpër dhe prania ushtarake në rritje. Ja karakteristika e dytë e gjeopolitikës së Xi: ndërvarësia dhe guximi më i madh. Qëllimi i këtij qëndrimi është të ruajë sa më mirë interesat kombëtare dhe ta bëjë botën të mësohet me një Kinë të ndryshme nga e kaluara. Në të njëjtën kohë, Pekini tenton të influencojë rendin botëror dhe rajonal për t’i ndryshuar në mënyrë uniforme interesat e veta.

Në kapërcyellin midis pranverës dhe verës së 1989, në Kinë janë verifikuar ngjarje politike shumë serioze (protestat dhe masakra e Sheshit Tiananmen, shënimi im.) dhe vendet perëndimore kanë vendosur sanksione kundër Pekinit. Në atë kohë kishin kaluar vetëm 10 vite nga nisja e programit të “reformës dhe hapjes”. Ekonomia ishte e prapambetur dhe Kina nuk ishte kushedi se çfarë e fortë në planin politik dhe ushtarak. Në atë kohë Ten Hsiao Pini nënvizonte se Kina duhej “të ruante një profil të ulët dhe t’i ndiqte objektivat në mënyrë diskrete” (tao guang yang hui, you suo zuo wei). Domethënia e kësaj shprehjeje është të mos kesh ngut për të rënë në sy, të mos reagosh në mënurë të tepruar ndaj provokimeve të të tjerëve, të promovosh zhvillimin në heshtje dhe në të njëjtën kohë t’i bësh gjërat që janë brenda mundësive dhe të rëndësishme për interesat tona. Nëse ndiqet kjo metodë, të tjerët do ta mësojnë se nuk je lehtësisht i mundshëm dhe vështirë se do të sulmojnë.

ISHUJ ARTIFICIAL

Gjatë epokës së Zhiang dhe Hu, politika e jashtme kineze ka ndjekur gjithmonë parimin e “mbajtjes të një profili të ulët”. Për pasojë, kur në 1999 NATO ka bombarduar ambasadën e Republikës Popullore në Beograd, Pekini nuk ka reaguar dhunshëm. Në 2001, një avion ushtarak amerikan është përplasur me një kinez në hapësirën ajrore e Republikës Popullore. I pari është detyruar të bëjë një ulje emergjence në Ishullin Hainan dhe piloti ka vdekur. Megjithatë, reagimi i qeverisë kineze nuk i ka tejkaluar pritshmëritë perëndimore. E njëjta gjë vlen edhe për çështjen e tensioneve me Japoninë lidhur me Ishujt Diaoyu (Senkaku për Tokion, shënimi im.) dhe fërkimet në Detin e Kinës Jugore. Në të gjithë këto fusha Kina nuk ka pasur një sjellje të tepruar. Sapo ka hyrë në skenë, Xi e ka tejkaluar parimin e vendosur nga Ten Hsiao Pini. Kina e sotme është më e fortë sesa më parë: është ekonomia e dytë e botës dhe influenca politike dhe ushtarake e saj ka pasur një rritje të jashtëzakonshme gjatë 20 viteve të fundit. Kështu, ndërsa në të kaluarën qeveria e vinte më shumë theksin tek “mbajtja e një profili të ulët”, me Xi është përqendruar mbi “ndjekjen e objektivave në mënyrë diskrete”. Në të vërtetë, Xi ka shkuar shumë përtej kuptimit fillestar të shprehjes dhe Republika Popullore i “ka ndjekur qëllimet e saj në mënyrë të ashpër”. Për shembull, në fund të vitit 2012, përplasja midis Kinës dhe Japonisë për çështjen e Ishujve Diaoyu është intensifikuar dhe ka përcaktuar ndërprerjen e vizitës reciproke nga ana e politikanëve të nivelit të lartë, masë e vlefshme akoma sot.

Duke filluar nga viti 2013, grindja midis Kinës dhe vendeve të lagura nga Deti i Kinës Jugore ka pësuar një eskalim të mëtejshëm. Forcat e armatosura kineze kanë ndërtuar ishuj artificialë në këtë anë të detit dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë mundur të bëjnë asgjë. Në vitin 2014 Pekini ka dërguar për herë të parë në historinë e tij 700 ushtarë këmbësorie për të kryer operacione paqeruajtjeje në Sudanin Jugor, me qëllim që të garantojë sigurinë e vendburimeve të naftës dhe të bashkëkombasve. Në 2016, Republika Popullore ka ndërtuar në Xhibuti strukturën e parë ushtarake logjistike kineze jashtë vendit, duke krijuar një precedent për ekspansionin ushtarak jashtë nga kufijtë kombëtarë.

Karakteristika e tretë e vizionit gjeopolitik të Xi qëndron në rëndësinë e atribuar “marrëdhënieve midis fuqive të mëdha”. Në marsin e 2016, Raporti për Punën e Qeverisë i miratuar në përfundim të dy seancave plenare të Kongresit Kombëtar të Popullit dhe të Konferencës Politike Konsultative të Popullit Kinez trajtonte prioritetet e politikës së jashtme në këtë renditje: marrëdhëniet midis fuqive të mëdha, diplomacia periferike (domethënë me vendet fqinje), raportet me vendet në rrugën e zhvillimit dhe ato multilaterale. Kurse në të kaluarën qeveria ishte mësuar të konsideronte prioritare dosjen e dytë dhe të tretë. Në mënyrë të qartë, Xi ka ripërcaktuar prioritetet gjeopolitike kineze. Në një kontekst të tillë, për Pekini marrëdhënia më e rëndësishme është ajo me Shtetet e Bashkuara. Viti që jemi do të ketë një domethënie të veçantë për raportet kino – amerikane. Mënyra e pazakontë e vepruarit e presidentit të ri amerikan, Donald Trump, i shton ndryshore të reja politikës amerikane ndaj Kinës. Veç kësaj, në vjeshtë do të mbahet Kongresi i XIX-të i Partisë Komuniste të Kinës dhe pushteti i”bërthamës” do të forcohet në mënyrë të paprecedent. E gjitha vota do të vëzhgojë sesi këto dy figura të forta, Trump dhe Xi, do të programojnë të ardhmen e raporteve kino – amerikane.

Sjellja e fundit e Presidentit amerikan lidhur me çështjen e Tajvanit dhe Detin e Kinës Jugore përshkruan pakënaqësinë e tij ndaj Kinës, por nuk demonstron akoma ndryshimin e orientimit të Uashingtonit ndaj Pekinit krahasuar me administratën e mëparshme. Për më tepër, reagimet e Trump shpesh janë emotive. Për shembull, kur Kina ka rikuperuar dronin nënujor amerikan në Detin e Kinës Jugore, presidenti amerikan ka shkruar në Twitter se Pekini e kishte vjedhur dhe se mund ta mbante. Qeveria kineze, njëlloj si qytetarët amerikanë, ka nevojë që t’i përshtatet Trump dhe ekipit të tij. Për këtë arsye, megjithëse duke ju përgjigjur kritikave dhe veprimeve të tij, Pekini nuk e ka gjykuar kurrë personin. Në thelb, Kina pret dhe vëren banorin e Shtëpisë së Bardhë, duke ushqyer shpresa për të. Jo rastësisht, po atë ditë që është zgjedhur Trump, Xi i ka dërguar një telegram urimi dhe 5 ditë më pas të dy krerët e shteteve edhe kanë folur në telefon. Rregulli i komunikimit midis Presidentit kinez në fuqi dhe atij të zgjedhur amerikan është në fuqi prej më shumë se 10 vjetësh. Kjo do të thotë se raporti kino – amerikan mbetet pakashumë i qëndrueshëm.

JO “POLICI I RI I BOTËS”

Për çfarë kanë folur të dy udhëheqësit? Në artikullin prej vetëm 400 karakteresh të botuar nga agjencia Hsinhua, agjencia kineze e shtypit, Xi ka përmendur 5 herë fjalën bashkëpunim (hezuo). Padyshim që kjo demonstron se Pekini kultivon shpresa për sa u përket raporteve kino – amerikane. Megjithatë, nëse Trump do të adoptojë masa thelbësore për ta ndryshuar politikën amerikane lidhur me çështjen e Tajvanit apo tema të tjera që kanë të bëjnë me interesat themelore të Kinës, Xi sigurisht që do të reagojë në mënyrë të ashpër. Mjafton të mendohet mënyra me të cilën këto 4 vitet e fundit Pekini ka adoptuar iniciativa politike ushtarake dhe ekonomike. Në të njëjtën mënyrë, Xi nuk do të qëndronte palëvizur përpara provokimeve të jashtme, në ndryshim nga paraardhësi i tij; më shumë, do t’i sulmonte Shtetet e Bashkuara në shumë mënyra. Nëse një ditë një gjë e tillë do të ndodhte, konflikti midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara në kontekste të ndryshme gjeopolitike do të ishte i pashmangshëm. Raporti midis dy vendeve do të arrinte fundin, duke paragjykuar sigurinë globale.

Megjithatë, duke analizuar stilin e Xi, duket se objektivi i tij është që t’i japë Kinës një pozicion gjeopolitik, ekonomik dhe ushtarak që të korrespondojë arsyeshëm me nivelin e zhvillimit të saj. Republika Popullore nuk synon që të kalojë Shtetet e Bashkuara dhe të bëhet “polici i ri i botës”. Mendimi i Xi është konform me realitetin e zhvillimit të shpejtë të ekonomisë kineze në 30 vitet e fundit dhe nuk shkon përtej aftësive të vendit. Për këtë, Presidenti kunez nuk kërkon përplasjen me Shtetet e Bashkuara. Më shumë, nëpërmjet reformës së ekonomisë dhe politikës, kërkon që të konsolidojë pozicionin e Partisë Komuniste dhe realizojë “ëndrrën kineze” (Zhongguo meng), domethënë rilindjen e vendit. kështu që kërkohet një mjedis i jashtëm i favorshëm dhe i qëndrueshem. Në gjuhën zyrtare kineze quhet një “periudhë mundësie strategjike” (zhanlue jiyu qi). Nëse Trump do të vazhdonte në thelb politikën e ndjekur nga paraardhësit e tij ndaj Republikës Popullore, ka shumë të ngjarë që Xi do të vendoste një raport të mirë me të dhe, ndoshta, mund të bëhet mik me të. (bota.al)

(Mu Chunshan, gazetar me banim në Pekin, ka qenë pjesë e një projekti investigues kërkimor të mbështetur nga Ministria e Arsimit lidhur me influencën e media së huaj në modelimin e imazhit të Kinës)