Nëse jo në zgjedhjet e radhës sepse kërkohet më shumë kohë dhe përgatitje, atëherë pas katër vjetëve Maqedonia e Veriut duhet patjetër të ketë një fytyrë tjetër, më europiane në aspektin e menaxhimit të territorit, mbi ndarjen në tetë rajone, ku zhvillimi ekonomik e social do të ndiqte ritmet dhe kërkesat e banorëve lokal dhe mbi këtë ndarje do të mund të projektohej edhe harta e re elektorale, por paraprakisht përmes një ligji të ri që do të ridefinonte ndarjen territoriale, me kufij të ri në mes të rajoneve, e jo siç është deri më tani
Nga Emin AZEMI
Plani i përgjithshëm nacional në të ardhmen duhet ta ndajë Maqedoninë e Veriut në tetë rajone zhvillimi, ku secili rajon do ti ketë specifikat dhe prirjet e veçanta të përpunimit të projekteve me impakt direkt në jetën përgjithshme të banorëve.
Mbi këtë hartë të rajonalizimit, duhet të përpilohet edhe modeli i ardhshëm zgjedhor, i cili patjetër duhet të jetë reflektim i zhvillimit të barabartë ekonomik e social dhe i gjeografisë demografisë në mbarë territorin e shtetit.
Maqedonia me tetë njësi zgjedhore dhe me lista të hapura për deputetë dhe këshilltarë komunalë, ka shanse ideale të kapë trendet moderne të zhvillimit politik e ekonomik, ku fuqia e votës do të jetë në kohezion me ekonominë, demografinë, arsimin, profesionalizmin e vendbanimeve.
Nëse i iket kallëpit të tanishëm me gjashtë njësi zgjedhore dhe e lista të mbyllura, ku jo gjithmonë numri i deputetëve korrespondon me strukturën demografike e etnike të popullatës, atëherë mundësia për të rikthyer fuqinë vendimmarrëse tek votuesi do të jetë një shans më shumë reale.
Deri më tani nuk është mbajtur fort llogari për zhvillimin proporcional dhe të barabart rajonal, ku popullata vendore nëpër komuna nuk ka qenë e trajtuar njësoj në projeksionet buxhetore të shtetit dhe për rrjedhojë, arkat komunale,për shkak të politikave jo të drejta fiskale, nuk kanë mundur të përballojnë kërkesat imediate për zhvillim lokal. Kjo edhe për shkak të mungesës së menaxhimit politik të territorit (ose disa pjesëve të tij) nga ana e përfaqësuesve qeveritarë me përkatësi etnike shqiptare, por edhe për shkak të një politike të fshehur ekonomike të kryeministrave maqedonas dhe këshilltarëve të tyre, ku në të shumtën e rasteve interesi etnik maqedonas ka determinuar disa vektorë zhvillimi në pjesën qendrore e lindore të vendit.
Kur jemi te menaxhimi profesional i resurseve natyrore që ndodhen në pjesët e banuara me shqiptarë, deri më tani paritë politike shqiptare kanë dështuar me përgatitjen e planeve të detajuara studimore mbi disa pasuri nëntokësore që ndodhen në pjesë të caktuara, siç është, bie fjala, Miniera e Llojanit, e pasur me antimon, pastaj Miniera e Radushës e pasur me zink dhe hekur (me mbi 500 të punëtor deri në vitin 1994), por edhe disa pika të tjera me burime natyrore të cilat aktualisht janë jashtë funksionimit. Sikur të trajtoheshin me një nikoqirllëk profesional këto resurse natyrore, përmes partneriteteve me kompani vendore e ndërkombëtare, sigurisht që do të prodhonin mirëqenie solide për popullatën vendore dhe nuk do t’i shkonte mendja kujt të kërkonte punë dikund jashtë në Europë.
Si pasojë e moszhvillimit të barabartë të rajoneve në Maqedoninë e Veriut, jo rrallë në të kaluarën ka ndodhur që politikat financiare dhe projeksionet investuese të ndjekin trende shumë të panatyrshme dhe në disharmoni me interesat vitale të popullatës vendore.
Kështui, bie fjala, në Programin për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural në vitin 2018, ishin ofruar më shumë investime në tri masa kryesore, siç janë: “Përmirësimi i cilësisë së jetesës në vendbanimet rurale”, “Rindërtimi dhe zhvillimi i fshatrave”, si dhe “Ruajtja dhe avancimi i vlerave tradicionale në viset rurale”. Të gjithë këto masa ishin dedikuar për investime të ndryshme kapitale në infrastrukturën rurale, kurse mjetet për përmirësimin e rrugëve deri tek fushat, gjegjësisht tokat pjellore, i shfrytëzuan komunat Kratovë, Vevçan, Pllasnicë, Bosillovë, Zrnovci, Koçanë, Debarcë , Gradsko,Vasillevë dhe Gradsko.
Përmirësimi i cilësisë së jetesës në vendbanimet rurale, do të ishte parakushti themelor që njerëzit të mos i braktisin vendlindjet, kurse Programi për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural, është menduar të jetë terapia më adekuate që këto vendbanime të fillojnë të mendojnë për gjetjen e resurseve që do t”iu sigurojnë mirëqenie dhe prosperitet. Mirëpo këtij Programi i mungon sensi i të qenit i barabartë, sepse në të mungojnë vendbanimet shqiptare
Në Pollog, Likovë, Haraçinë, Radushë, në Pellgun e Ohrit, pastaj në fshatrat shqiptare të Pellagonisë etj. sikundër mund të shihet, ende nuk ka mbërri Programi për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural. Por, çuditërisht , ka mbërri në një oazë etnike maqedonase – në Vevçanin e karnavaleve dhe cirkusiadave.
Ata që nuk e kanë të qartë se pse rindërtimi dhe zhvillimi i fshatrave ka vetëm adresë maqedone, do të duhej ta dinë se burimi i kësaj qëndron në mosdefinimin e një Plani të përgjithshëm nacional në Maqedoninë e Veriut, ku mungon ndarja rajonale e territorit dhe mbi këtë edhe mosdefinimi i qartë edhe i gjeografisë elektorale, i cili tani për tani është asimetrik dhe në interes të etnisë maqedonase.
Prandaj, nëse jo në zgjedhjet e radhës sepse kërkohet më shumë kohë dhe përgatitje, atëherë pas katër vjetëve Maqedonia e Veriut duhet patjetër të ketë një fytyrë tjetër, më europiane në aspektin e menaxhimit të territorit, mbi ndarjen në tetë rajone (por me një ripërkufizim tjetër), ku zhvillimi ekonomik e social do të ndiqte ritmet dhe kërkesat e banorëve lokal dhe mbi këtë ndarje do të mund të projektohej edhe harta e re elektorale, por paraprakisht përmes një ligji të ri që do të ridefinonte ndarjen territoriale, me kufij të ri në mes të rajoneve, e jo siç është deri më tani.
Organizimi i tanishëm territorial nuk shpreh gjeografinë demografike-etnike, ku shqiptarët në disa pjesë janë futur në të ashquajtur xhepa, ku margjinalizimi është bërë me qëllim që të dobësohet kompaktësia territoriale e tyre. Disa komuna të reja të formuara me ndarjen e re territoriale, sidomos në rajonin në mes të Gostivarit dhe Dibrës, në disa pjesë të Shkupit etj., është goditur parimi i kompaktësisë demografike, në dëm të shqiptarëve dhe në favor të maqedonasve. Prandaj ndarja e re territoriale do të duhej t’i evitoj këto mangësi, në mënyrë që organizimi territorial të jetë më funksional, më kompatibil me gjeografinë etnike dhe elektorale.
Modeli i ri zgjedhor patjetër duhet të bazohet mbi këto parime, sepse nëse nuk ndodhë kjo atëherë vazhdon të diskriminohen votuesit shqiptar, të cilët janë në pozitë të pabarabartë me votuesit maqedonas, ku nuk vlen parimi i njëjtë për të dyja kategoritë e votuesve. Nëse, bie fjala, një deputet maqedonas zgjidhet në Shtip apo Koçani me tre mijë vota, ky parim nuk vlen për Tetovë, sepse atje duhesh ti kesh të paktën tetë mijë vota për t’u zgjedhur.
Shteti i së ardhmes, që nesër do të jetë pjesë e NATO-s dhe BE-së nuk guxon të shkelë me opinga të baltosura nga fshatrat e vetmuara maqedonase, ku vetëm pleqtë e lënë pas dore bëhen sikur po e ndihmojnë zhvillimin rural, ndërkohë që të rinjtë shqiptarë në Maqedoninë Perëndimore dhe Veriperëndimore as që kanë dëgjuar për “Ruajtjen dhe avancimin e vlerave tradicionale në viset rurale”. Në Maqedoninë Lindore pleqtë i ruajnë fshatrat e braktisur nga bijtë e tyre drejtorë e nëpunës në Shkup, ndërkohë që në Maqedoninë Perëndimore, shumica e të rinjve shqiptarë jetojnë me solidaritetin financiarë të xhaxhallarëve e dajallarëve në kurbet.
Programi për Përkrahje financiare të Zhvillimit Rural, duhet të jetë gjithëpërfshirës, mirëpo kjo nuk mund të bëhet nëse në ndryshimet e ardhshme të modelit zgjedhor nuk integrohet edhe fuqia elektorale e shqiptarëve ,të cilët aktualisht janë rekrutuesit më të mëdhenj të fuqisë punëtore, por edhe kandidatët më potencialë për t’u bërë kurbetçinj të ardhshëm.