Udhëheqësja e Mianmarit, fituese e “Çmimit Nobel”, Aung San Suu Kyi, pavarësisht të gjithë reagimeve dhe thirrjeve nga komuniteti ndërkombëtar, vazhdon heshtjen e saj ndaj persekutimit të muslimanëve të Arakanit. Mos reagimi i Suu Kyi, për dëbimin e mijëra muslimanëve të Arakanit nga tokat e tyre dhe vrasjen e mijëra të tjerëve, e cila në vitin 1991 kishte fituar Çmimin Nobel për “demokraci, të drejtat e njeriut dhe luftën kundër dhunës”, po shkakton kritika të shumta në komunitetin ndërkombëtar. Edhe deklaratat e saj për gjendjen në Arakan ku thotë se “Ka akuza të ndërsjella. Duhet t’i dëgjojmë të gjitha. Para se të veprojmë duhet të jemi të sigurt që akuzat bazohen në themele të sigurta. Jemi një shtet i ri dhe i brishtë, i cili përballet me probleme të shumta”, shkaktuan reagime të shumta. Përveç politikanëve, edhe organizata dhe personalitete të shumta si muzikantë, shkrimtarë, fitues të Çmimit Nobel dhe mbrojtës të të drejtave të njeriut po bëjnë thirrje që Suu Kyi t’i japë fund heshtjes dhe të veprojë sa me shpejt. Në këtë proces u tërhoqën ose filluan fushatat për tërheqjen e disa çmimeve të dhëna në të kaluarën për Suu Kyi. Mijëra muslimanë të Arakanit kanë humbur jetën që nga 25 gushti e deri tani si rezultat i sulmeve të ushtrisë së Mianmarit, e cila pretendon se është duke luftuar me militantë të armatosur. Numri i saktë i viktimave ende nuk mund të verifikohet, për arsye se qeveria e Mianmarit nuk lejon hyrjet dhe daljet në rajon. Gjatë sulmeve të cilat janë shndërruar në një spastrim etnik janë djegur ose shkatërruar rreth 300 fshatra nga ushtria dhe budistët radikalë, si dhe mbi 600 mijë muslimanë të Arakanit janë larguar në Bangladesh nëpërmjet rrugëve malore, detare apo të lumenjve. Ndërkohë dhjetëra mijëra të tjerë janë në kërkim të rrugëve për t’u larguar në Bangladesh. Parashikohet se rreth 2 milionë muslimanë jetonin në Arakan në vitet 1970, por ky numër ka rënë nën 350 mijë për shkak të largimeve nga sulmet sistematike.