Reagimet e organizatave politike, intelektualëve e të shoqërisë civile shqiptare ndaj masave të dhunshme në Kosovë, mars-prill 1981
Nga Qerim LITA
(vijon nga numri i kaluar)
Pasi i numërojnë të gjitha ngjarjet e zhvilluara në trevat shqiptare nën Jugosllavi, gjatë viteve 1948-1966, intelektualët shqiptarë ju drejtohen anëtarëve të Kryesisë së KQ të LKJ me fjalët: “…Si ndryshe ta formulojmë mënyrën që u përdor ndaj shqiptarëve të Jugosllavisë së pas luftës, përveç se si nacionalizëm e shovinizëm i tepruar, pra kush e mbolli nacionalizmin e shovinizmin në Jugosllavi, shqiptarët – të terrorizuar dhe të depërtuar jashtë kufijve të atdheut të tyre apo serbomëdhenjtë, maqedono-mëdhenjtë dhe elementet tjera. Shqiptarët të cilët bashkërisht luftuan me kombet e kombësitë tjera në Jugosllavi, nuk janë fajtor për këtë…”.
Duke u ndalur në fjalimet e funksionarëve të lartë kosovarë, pas demonstratave të marsit e të prillit, në letër shprehimisht thuhej: “…Fjalimet e shokëve drejtues të Kosovës, nisur nga shoku Fadil Hoxha deri te Asllan Fazliu, përveç gjykimeve të arsyeshme, futën edhe shumë dyshime, sepse përdorën fjali fyese, kërcënuese, sharje, ndërsa fyerjet nuk duhet të dalin nga goja e një udhëheqësi siç është Fadil Hoxha…”. Rreth fjalës “Bira e minit 300 grosh”, që e përdori Fadil Hoxha me 3 prill në Prishtinë, artikullshkruesit e letrës i falënderohen shumë atij, sepse siç vënë në pah: “…nga shprehje të tilla kosovarët dhe shqiptarët në Jugosllavi janë mësuar të paguajnë edhe më shumë, madje nga 12 mijë grosh edhe atë nga viti 1913 e deri te Plenumi i Brioneve, ndërsa ne menduam se do të na thoni diçka të re…”. Intelektualët shqiptarë, në vazhdim të letrës, shprehin revoltën e tyre edhe kundër fjalimit të Llazar Kolishevskit në mbledhjen e përbashkët të Kryesisë së RSFJ-ës dhe Këshillit Federativ për mbrojtjen e rregullit kushtetues mbajtur më 29 prill 1981 në Beograd, i cili kishte apeluar: “për përdorimin e mëtejshëm të dhunës mbi shqiptarët”, duke dhënë vlerësime të njëanshme për demonstratat. Sipas tyre: “…Fjalimi i shokut Llazar Kolishevski ishte i përqendruar për një dhunë më të madhe në Kosovë, për kufizimin e zhvillimit ekonomik, kulturor e politik, në vend se të apeloj për zhvillim të mëtejshëm, ai apeloi për kufizimin e numrit të studentëve dhe të inteligjencës…Me siguri, vazhdon letra, edhe Kolishevski e di të vërtetën e asaj çka ndodhi në Kosovë, i di shumë mirë arsyet që ndikuan për këtë gjendje. A thua është e mundur të mos i dijë arsyet e stagnimit në Kosovë. Prandaj, i drejtohemi Kolishevskit se dhuna, nxitja e frikës, kontrollit, arrestimeve, stagnimit, nuk janë mjete për zgjedhjen e problemeve, përkundrazi ato edhe më shumë e zgjerojnë revoltën tek qytetarët dhe ju mundësojmë të tjerëve të përzihen në çështjet tona për të cilat vetë mund t’i zgjedhim. Këtë me siguri e dinë mirë Kolishevski. Ai e di se shqiptarëve në Maqedoni ju është nxjerrë me dhunë nga koka plisi i bardhë, e di se sa dasma shqiptare për shkak flamurit kombëtar janë shndërruar në mort e zi për shkak se policia maqedonase nuk u ka lejuar të futen në territorin e Maqedonisë me flamur (simbol nacional) dhe kështu janë krijuar shumë probleme të këtij lloji. Atëherë si mund ta vlerësojmë këtë, kur dihet se kombësia shqiptare në Maqedoni për nga numri i banorëve është e dyta menjëherë pas maqedonasve, prandaj parashtrohet pyetja përse të mos lejohet përdorimi i simbolit të kombësisë në formë legale dhe si mund të arsyetohet kjo, pastaj dygjuhësia në Maqedoni tërësisht është jashtë përdorimit. Sikur shqiptarët në ato vise fare nuk figurojnë si në Shkup, Tetovë, Gostivar, Kërçovë, Strugë, Manastir, Ohër etj. A thua këtë nuk e din dhe nuk e ka të njohur Kolishevski!?”, theksojnë veç tjerash intelektualët shqiptarë në letër, që më pas, ndalen te përgjegjësia e autoriteteve më të larta partiake e shtetërore të Kosovës, veçmas për strukturën e vjetër: “…Ata përgjegjësinë e kanë dhënë para popullit të vet që në kohën e para Plenumit të Brioneve, në periudhën e errët 1956 e deri më 1966 kur ky popull përjetoi aq mizoria, shokët udhëheqës, filluar nga shoku Fadil, Xhavid, Ali, Milija Kovaçeviç, Xhevdet, Petar Brajeviç, Kolë, Veli e deri te Asllan Fazlia, nuk kanë guxuar të ndërmarrin asgjë që ta pengojnë atë dhunë e egërsirë që e përjetoi populli shqiptarë në Kosovë e në Jugosllavi, përkundrazi nuk u dëgjua zëri i tyre…”. Lidhur me përgjegjësinë e ngjarjeve të marsit e të prillit të vitit 1981, në letër thuhej se: “…Xhavidi, Mahmuti, Dushku, Bahriu, Mustafa Sefedini etj., nuk ishin në gjendje që vetë ta zgjidhnin situatën, me çka nuk do të lejohej që policia speciale të ndërmerr gjithçka çka është më e errët për studentët e studentet dhe për qytetarët në përgjithësi…”.
Ky vlerësim i intelektualëve nuk vinte nga “pozita egoiste”, por nga dëshmitë dhe faktet e gjalla, të cilat janë parë nga ana e qytetarëve. Si shembull ata e paraqesin brutalitetin e skajshëm të policisë jugosllave gjatë legjitimimit të qytetarëve, duku ju drejtuar atyre me fjalët: “t’i nuk mban armë, sepse t’i nuk e donë atdheun” apo “t’i posedon armë, sepse je armik” dhe shumë tortura tjera, apo siç thotë populli “zdryp se të vrava, hip se të vrava” etj. “Për torturën që ju është dhënë studentëve nëpër konvikte, thuhej më tej në letër, besoni se as ushtria gjermane nuk do të vepronte aq tmerrshëm. Pas gjuajtjes së lotsjellësit nëpër konvikte, policia ka hyrë brenda dhe kudo që iu është dhënë rasti dhe cilindo që e kanë kapur nuk e kanë lëshuar pa e rrahur dhe pa i dhënë lëndime të rënda me shkopinj gome. Gratë i kanë rrahur nga barku duke ju thënë, nuk do të lindni më fëmijë shqiptarë etj. Për këtë shkak disa studentë kanë kërcyer nga kati i dytë e i tretë, vetëm se të mos bijën në duart e tyre, duke mos llogaritur se a do të vdesin apo do të ngelin gjallë….Kjo si mund të arsyetohet dhe a ka ndonjë logjikë ose element humanitarë? Ne që i kemi përjetuar këto situata të rënda dhe tejet dramatike, e dimë vetë, ndërsa ata që nuk i kanë përjetuar le të flasin si të duan dhe si u vijnë nëpër gojë! Në fund, ne mendojmë se kërkesa që Kosova të bëhet republikë në kuadër të federatës nuk e minon bashkësinë tonë socialiste të kombeve e kombësive”, thuhet në fund të letrës së intelektualëve shqiptarë, të Kosovës e të viseve tjera shqiptare nën Jugosllavinë e atëhershme komuniste.
Në fillim të muajit korrik të vitit 1981, në adresë të kryetarit të Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, Veli Devës, nga Nju Jorku arriti një letër e nënshkruar nga Prof. Nikolla Kosta, ku ai në emër të mbarë shqiptarëve në SHBA shprehte brengosjen e thellë për fatin e vëllezërve të tyre në Jugosllavi. Brengosja dhe pakënaqësia e tij vinte në shprehje, veçanërisht ndaj organeve partiake e shtetërore të republikave socialiste të Kroacisë, Sllovenisë dhe Bosnje e Hercegovinës, për shkak solidarizimit dhe bashkëveprimit të tyre me organet përkatëse serbe. Sipas tij, deri te kjo ka ardhur: ose nga frika që i ka kapluar organet e tre republikave të lartpërmendura jugosllave ndaj shovinizmit të egër dhe të tërbuar serb, ose janë para një furtune më të madhe të historisë së tyre të verbuar. Më pas ai bën një përshkrim kronologjik të krimit, terrorizimit, gjenocidit dhe dëbimit të dhunshëm të popullit shqiptar nga pushtuesit e egër serbo-malazias, që fillon në vitin 1877/78, me pushtimet e para të tokave shqiptare nga ana e dy shteteve të mësipërme, të cilët asaj kohe kryen shpërnguljen e dhunshme të popullsisë shqiptare. Serbia dhe Malii Zi, thekson Kosta, gjatë viteve 1912/13, në mënyrë qyqare pushtuan gjysmën e tokave shqiptare, të cilat toka i mbajti “Mbretëria jugosllave nga viti 1918” si dhe Jugosllavia e re komuniste nga viti 1945:
“…E pamundur është të mos dihet, shkruan Kosta, për vrasjet dhe masakrimet shtazarake të ushtrisë serbe dhe malazeze, pastaj të ushtrisë së Mbretërisë jugosllave, të bërat ndaj banorëve të pafajshëm dhe të pambrojtur shqiptar, në mënyrë masive dhe të tmerrshme. Ekzistojnë elaborate, dokumente të nënshkruara, shumë libra dhe materiale të llojllojshme për shpërnguljen e tmerrshme dhe të dhunshme të shqiptarëve në Turqi dhe në vise të tjera të botës. Ka dhe ende ekzistojnë të gjallë shqiptarë në Turqi dhe çdo kund në botë, të cilët e mbajnë mend dhe flasin rreth tmerreve dhe kasaphanës të bërë nga ana e serbëve. Rënia e fashizmit në vitin 1945 shqiptarëve në Jugosllavi përsëri nuk u solli kurrfarë lirie. Përkundrazi, nisën mizoritë, ndjekjet, burgosjet, torturat dhe vrasjet që asnjëherë nuk mbahen mend në gjininë njerëzore. Nga viti 1953, nisi shpërngulja me dhunë, e vështirë dhe masive e popullit shqiptar në Turqi dhe në vise të tjera të botës. Edhe sot, pas aq shumë vjetësh, mund të hasësh me qindra mijë shqiptarë, të cilët Jugosllavia e sotshme i ka përzënë nga trojet e tyre në Turqi dhe në pjesë tjera të botës. E gjithë këto mizori njerëzore pas Luftës së dytë botërore, nisën ndaj shqiptarëve në Maqedoni nën urdhrin dhe komandën e Lazar Kolishevskit, fëlliqësirës dhe gjakpirësit më të madh të kësaj kohe. Atë duhet ta gjykojë ndonjë gjyq ndërkombëtar dhe gjithsesi duhet të dënohet në çfarëdo lloj mënyre për mizori më të rënda, për shkak të shfarosjes së popullit shqiptar. Edhe pse në Jugosllavi atëherë ka qenë një personalitet minor, në bashkëpunim dhe në veprim të përbashkët me Rankoviqin, Vukmanoviqin, S. Stefanoviqin dhe gjakpirësit dhe shkatërrimtarët e tjerë të popullit shqiptar, i pari e nisi, dha urdhër dhe ka qenë i pamëshirshëm për shpërnguljen dhe asgjësimin e popullit shqiptar në Jugosllavi…”.
Profesor N. Kosta, më pas ndalet në krimin dhe gjenocidin serb dhe atë jugosllavë të datës13 maj 1981 në fshatin Prekaz të Drenicës, si dhe rezistencën e Tahir Mehës dhe familjes së tij, ku shkruan:. “…Ka nisur që në formën më të tmerrshme të përsëritet historia e tmerrshme e Ballkanit dhe të popullsisë shqiptare. Në fshatin Prekaz në Drenicë, me vite ka luftuar, ka djegur dhe vrarë xhandarmëria dhe ushtria e Mbretërisë së Jugosllavisë. Keni lexuar dhe e keni ditur se si vepron dhe çka ndërmerr policia dhe ushtria e Jugosllavisë së sotshme. Në shtëpinë ku ka qenë edhe një foshnje tetë muajsh, prindërit e së cilës janë prerë me plumba në mënyrë shtazarake, ndërsa motra trembëdhjetëvjeçare është plagosur, është shtënë nga të gjitha armët e mundshme të zjarrit, nga toka dhe nga ajri…”.
Në fund të letrës, N. Kosta u drejtohet organeve partiake e shtetërore të tri republikave të sipërpërmendura jugosllave për sa më poshtë vijon: “….Le ta mbajnë mend fare mirë, se populli shqiptar nuk është më ai i cili është torturuar dhe masakruar pa mëshirë. Le ta dinë dhe le t’ia tregojnë botës këtë letër, se asnjëherë nuk do ta harrojmë kasaphanën e sotshme në Kosovë dhe se në të njëjtën masë për çfarëdo lloj çmimi, do t’ua kthejmë të gjithë xhelatëve dhe gjakpirësve të krimit të sotshëm të shqiptarëve në Jugosllavi…”.
Më datë 4 gusht të vitit 1981 në adresë të Komitetit Komunal të Lidhjes komuniste të Pejës, arriti një letër prej 10 faqeve, pas së cilës qëndronte PKMLSHJ-ë. Në të ndër të tjerave theksohej se për shqiptarët në këtë bashkësi jugosllave pabarazia dhe padrejtësia nuk ka fund: “…Ne nuk kemi parti komuniste shqiptare (PKSH-ë) e as Komitet Qendror, por politikisht jemi të varur nga Lidhja Komuniste e Serbisë, Lidhja Komuniste e Maqedonisë dhe Lidhja Komuniste e Malit të Zi. Çfarë nënkupton për ne emërtimi pakicë kur për nga numri i popullsisë, e zëmë vendin e tretë në Jugosllavi?…Udhëheqësit e Serbisë, Maqedonisë dhe Malit të Zi janë çuar në një ofensivë të paturpshme nacionaliste e shoviniste dhe kërkojnë që të na i marrin të drejtat e fituara si Autonominë, flamurin kombëtar dhe mbylljen e Universitetit. Çfarë do të thotë kjo? Progres apo regres? Kush na qenka kundër Kushtetutës…etj.”.
Në vazhdim të letrës theksohej se, detyra e parë dhe më e rëndësishme për Komitetin Qendror të PKMLSHJ-ës, i cili do të formohej pas një marrëveshjeje të arritur me udhëheqjen e LKJ-ës, do të ishte lufta për barazi të plotë politike, ekonomike, klasore e territoriale, e cila do të “siguronte barazinë nacionale të popullit shqiptar me popujt tjerë në kuadër të Jugosllavisë”, e cila do të rrumbullakësohej me formimin Republikës Socialiste Shqiptare në Jugosllavi. “…Janë të pa qëndrueshme dhe të gabuara komentimet, theksohej më tej në letër, se gjoja pas formimit të republikës, shqiptarët do të dëshironin të shkëputeshin nga Jugosllavia ose, se do të vij deri te shpërbërja e Federatës nëse do të formohet Republika Shqiptare. Përse pikërisht Republika Shqiptare ta shpërbëj Federatën?! Çfarë nënkupton kjo? Kjo nënkupton se LKJ-ë dhe qeveria jugosllave ende janë nën ndikimin e kolonializmit maqedono-malazias dhe hegjemonizmit serbo-madh dhe prandaj ata më mirë e pranojnë që ta fillojnë aksionin për shfarosjen e mbi 2 milionë shqiptarëve se sa ta ndajnë territorin shqiptar nga zinxhiri i tyre kolonijalist…”.
Letra me përmbajtje të ngjashme asaj kohe janë dërguar në adresë të komiteteve komunale të Lidhjes së komunistëve të Ferizajt, Dragashit, Vitisë, Prizrenit etj., përmes së cilave dënohej dhuna dhe terrori jugosllav mbi popullsinë shqiptare dhe njëkohësisht përshëndetej kërkesa për krijimin e Republikës së Kosovës: “…Populli shqiptar – thuhej në një letër dërguar në adresë të Lidhjes komuniste të Suharekës – edhe një herë e ka ngritur zërin për statusin e republikës. Shumë vëllezër dhe motra e kanë dhënë jetën e tyre. Nënat e tyre presin lajmin për të cilin djemtë dhe vajzat e tyre kanë rënë dëshmorë për liri, mirëpo ne asnjëherë nuk do ua harrojmë dhe derisa Kosova nuk bëhet republikë do të vdesim të gjithë edhe të moshuarit edhe të rinjtë. Nuk duam të jetojmë nën robërinë e askujt, e duam republikën, Kosovën tonë nuk do ta lëmë dhe për të do të vdesim të gjithë…Rroftë rinia studentore, rroftë flamuri shqiptar, poshtë shovinizmi serbomadh, rroftë Republika e Kosovës, rroftë zëri i shqiptarëve, nëna jonë, nuk të lëmë vetëm, të gjithë do të vdesim për ty…”.
Më datë 3 dhe 4 gusht 1981, në territorin e komunës së Podujevës qenë zbuluar 16 letra dhe pamflete të firmosura nga “Komiteti i maleve për çlirimin e Kosovës”, ndërsa në Ferizaj një letër prej 11 faqeve me titull “Revolucioni”, pas së cilës qëndronte “Zëri i Atdheut”. Ndërkohë, në fshatin Gorjak, komuna e Rahovecit më 22 gusht 1981 u zbulua një letër me këtë përmbajtje: “Vëllezër Shqiptar, të jemi të bashkuar në luftën për të drejtat tona. Për këto kërkesa ne asnjëherë nuk do ta ndalim veprimtarinë tonë, ne nuk do të ngelemi në mëshirën e Serbisë, porse do të luftojmë deri në fund, derisa Kosova nuk e fiton statusin e Republikës…Numri i dëshmorëve në Kosovë nuk i kontribuon sanimit politik. Rrofshin patriotët e rënë të Kosovës nga fshati Gorjak”.
Ndërkohë, pas miratimit të të ashtuquajturës “Platformë Politike të LKJ-ës për Kosovën”, sërish reagoi PKMLSHJ-ë, e cila përmes një letre speciale drejtuar Kryesisë së Komitetit Krahinor të LK të Kosovës, ndër të tjerave theksonte, se nëse merret parasysh “masakrimi dhe gjenocidi i kryer nga ushtria serbo-jugosllave” gjatë demonstratave revolucionare të pranverës së kaluar në Kosovë, duke mos e përmendur këtu të kaluarën heroike të popullit shqiptar i cili vazhdimisht ka qenë kundër qëllimeve plaçkitëse të shovinistëve fqinjë, atëherë vet titulli i të ashtuquajturës “Platformë Politike për aksionin e LKJ-ës në zhvillimin e vetëqeverisjes socialiste, vëllazërim bashkimit dhe bashkëjetesës në Kosovë”, është në kundërshtim me të tërë ata që nënvizohet në atë Platformë madje edhe me vetë titullin e Platformës. Sipas udhëheqjes politike të kësaj partie klandestine, e ashtuquajtura Platformë politike ishte e orientuar kundër popullit shqiptar, në radhë të parë kundër inteligjencës dhe rinisë studentore, madje edhe kundër nxënësve të shkollave të mesme. “…Pas Platformës Politike që e miratoi LKJ-ë, thuhet në letër, aksioni serbo-jugosllav është i orientuar edhe kundër nxënësve të shkollave fillore. Aktiviteti serbomadh dhe i grupeve tjera të vjetra mbretërore e rankoviçiane po merr përmasa gjithnjë e më të mëdha. Ata kanë deklaruar se koha e vështirë është në favorin e tyre që të mund ta ‘rrënjosin nacionalizmin shqiptaromadh’ mirëpo, edhe ajo e ka prapavijën e saj, prandaj nëse vazhdon kështu, përkatësisht nëse edhe më tej nuk merret parasysh kërkesa e popullit shqiptar në Jugosllavi që Kosovës dhe viseve tjera shqiptare në RSFJ-ë t’u pranohet statusi i republikës në kuadër të Federatës jugosllave, do të vij deri te shpërthimi i revolucionit i armatosur i përgjithshëm për të cilën bëjmë përgatitje të vazhdueshme te masat e gjera shqiptare, e që fare nuk mund ta hetojnë shkurtëpamësit serbomëdhenj dhe forcat tjera reaksionare në Jugosllavi…”.
Për sa u tha më sipër, mund të konstatojmë se demonstratat studentore të muajve mars-prill 1981 në Kosovë, hasën në mbështetje të fuqishmen jo vetëm nga organizatat politike atdhetare shqiptare brenda dhe jashtë Kosovës, por edhe nga mbarë kombi shqiptar, veçanërisht nga inteligjenca, e cila në mënyrë të qartë u pozicionua përkrah kërkesës së drejtë e reale për kohën, që ishte “Republika Shqiptare në kuadër të Federatës jugosllave”, në të cilën republikë krahas Kosovës do të përfshiheshin edhe viset tjera shqiptare, të cilat pas përfundimit të LDB-ës, Tito dhe klika e tij komuniste i copëtoi në tre republikat e atëhershme jugosllave: RP të Serbisë, RP të Maqedonisë dhe RP të Malit të Zi. (Fund)