Duket se disa njerëz mund të hanë hamburgerë dhe çipsa sa të duan dhe të kenë peshën, formën e madhësinë e pandryshueshme, gjatë tërë jetës së tyre.
Hulumtuesit në Universitetin e Cambridget kanë zbuluar se thatanikët kanë një avantazh gjenetik ndaj shokëve të tyre me mbipeshë që jetojnë dhe ushqehen në mënyrë të njëjtë, transmeton Koha.net shkrimin e The Guardian. Prof. Sadaf Farooqi nga “Wellcome-MRC Institute of Metabolic Science”, ka rekrutuar 2 mijë individë të shëndetshëm, por thatanikë për një studim të quajtur “Stilts” për të zbuluar nëse kjo ka të bëjë për mënyrën e jetesës apo me gjenet. Të gjithë kishin BMI-në (Indeksi i Masës Trupore) më pak se 18, që teknikisht është nën peshë, por ishin të shëndetshëm dhe nuk kishin çrregullim të të ushqyerit.
Identifikimi dhe rekrutimi i këtij grupi u mbështet nga Instituti Kombëtar për Kërkime Shëndetësore. Studimi, i cili u botua në revistën Plos Genetics, shqyrtoi ADN-në e rreth 1,600 anëtarëve të grupit që ishin thatanik dhe 2,000 njerëzve që ishin mbipeshë, duke krahasuar këto dy grupe me 10,400 persona të tjerë, të cilët kishin peshë normale. Ekipi hulumtues thotë se ka gjetur disa variante të zakonshme gjenetike të identifikuara se kanë një rol në obezitet.