Gjeneralët serbë: Marrëveshja e Kumanovës nuk ishte kapitullim për Serbinë

64

“Nënshkrimi i Marrëveshjes së Kumanovës nuk ishte kapitullim për Serbinë”.

Për më shumë se kaq, disa gjeneralë, admiralë e profesorë në Beograd po vazhdojnë të ngushëllohen duke thwnw se dokumenti në fjalë, bashkë me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së i mundësuan Serbisë në luftën e saj për ta mbajtur Kosovën si pjesë të këtij shteti.

Ky përfundim “i habitshëm” u nxor në përfundim të një konference që u mbajt në Beograd, dhe e cila u titullua “Agresioni i NATO-s në Republikën Federative të Jugosllavisë dhe Lufta e Re e Ftohtë”.

Atë e organizuan Forumi i Beogradit për një botë të barabartë dhe Klubi i Gjeneralëve dhe Admiralëve, në 22 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Kumanovës.

Presidenti i këtij klubi, gjenerali Milomir Miladinović ka thënë se pas gjithë këtyre viteve, e vërteta nuk është treguar në mënyrë komplete, ende.

Ashtu sic është bërë e zakonshme në retorikën serbe, shifrat imagjinare nuk kishte si të mungonin.

“Ushtria jonë nuk kapitulloi. Në burime të ndryshme amerikane thuhet se gjatë bombardimeve të vitit 1999, NATO humbi 36 avionë dhe 6 helikopterë. Këto të dhëna, fatkeqësisht, rrallë mund t’i gjeni nëpër medie”, ka thënë ai.

Edhe profesori Dushan Prorokoviq ka thënë se Marrëveshja e Kumanovës, shikuar nga këndi teorik, është e “arritur e madhe e politikës serbe” dhe se falë këtij akti “është mundësuar mbajtja e ndikimit në Kosovë dhe Bosnje e Hercegovinë”.

“Po të mos ishte Marrëveshja e Kumanovës nuk do të ishte Rezoluta 1244. Është e vërtetë që NATO korri fitore ndaj Jugosllavisë, por cfarë është ajo fitore?!!. Katër anëtare të saj ende nuk e kanë njohur të ashtuquajturën pavarësi të Kosovës”, ka thënë ai. “Gjatë bisedimeve shteti ynë arriti shumë, ndërsa e kishte vetëm një argument – Perëndimi është lodhur nga luftimet dhe se nuk është gati për një invazion tokësor (në Kosovë)”.