Gjatë katër ditëve të kaluara, në rajonin e Komunës së Tearcës, mbi 500 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptome të virozit, të cilët dyshojnë se kjo situatë është shkaktuar nga uji. Ende nuk ka rezultate zyrtare nga institucionet relevante se nga ka ardhur kjo situatë
Urim HASIPI
Tetovë, 9 gusht – Gjatë orëve të mesditës të ditës së premte është rritur numri i pacientëve të Komunave Tearcë dhe Jegunoc që kanë kërkuar ndihmë mjekësore në klinikën në Tearcë. Ata janë ankuar se kanë vjellje, barkqitje dhe temperaturë të lartë. Ndonëse në mëngjes nuk ka patur fluks, megjithatë në orët e mesditës ka filluar sërish të ketë persona që kanë probleme. Këtë e ka konfirmuar Majlinda Dervishi, specialiste e mjekësisë familjare në Tearcë, shkruan gazeta KOHA.
“Fluksi është i njëjtë, kemi numër të madh të pacientëve sikurse edhe ditëve tjera. Në mëngjesin e ditës së sotme, nuk kemi patur, por gjatë orëve në vazhdim kemi rritje të serishme të numrit të pacientëve që vijnë me vjellje, me diare dhe me temperaturë të lartë. Pacientët nuk janë vetëm të fshatrave Tearcë, Përshefcë, dhe Gllogjë, por edhe fshatrave tjerë. Pacientët janë të grupmoshave të ndryshme. Është një lloj virusi, nuk kemi informata zyrtare. Nuk e dimë se kjo vjen nga uji apo ushqimi, por e dimë se temperaturat janë të larta, u rekomandojmë pacientëve që të mos dalin jashtë, sidomos fëmijët, të sëmurët kronikë dhe gratë shtatzëna. Ushqimi të jetë sa më i lehtë, të konsumojnë lëngje dhe të jenë të kujdesshëm me higjienën” tha ajo.
Ndërkaq, mjekët në Qendrën për shëndet publik në Tetovë kanë thënë se situata në tre fshatrat e Komunës së Tearcës, Gllogjë, Përshefcë dhe Tearcë për dallim nga katër ditët e kaluara shkon drejt normalizimit. Suzana Subashiç, specialist e epidemiologjisë, thotë se nuk ka vend për panik, ngase kjo është paraqitje e zakonshme gjatë periudhës së gushtit, kur ka viruse të ndryshme të shfaqen të vjellura, barkqitje dhe në raste të rralla me temperaturë. Por, ajo vëren se gjendja në këto tri fshatra ka filluar të shfaqet të hënën, të martën dhe të mërkurën, dhe më pas ka filluar të përmirësohet. “Sipas informacioneve tona, përkeqësimi i gjendjes së pacientëve ka zgjatur një periudhë të shkurtër, prandaj edhe nuk ka vend për panik”, shprehet Subashiç.
Ajo kërkon që pushtetet lokale të kenë më shumë kujdes me kontrollet nëpër sistemet e ujësjellësit, nëpër të gjitha vendbanimet, ndërkaq nga qytetarët kërkon që t`i kushtojnë më shumë rëndësi higjienës personale. Subashiç ka thënë se ka kontaktuar edhe me institucione tjera dhe nuk ka të shtruar pacientë apo persona nga ai rajon që kanë kërkuar ndihmë në repartin infektiv. Por, në këtë qendër nuk mund të thonë saktë se nga është shkaktuar ky virus në tri vendbanimet e Komunës së Tearcës, pasi që sipas analizave uji teknikisht është i rregullt, kurse analizat mikrobiologjike janë duke u bërë ende. Mjekët rekomandojmë më shumë higjienë personale. “Mund të them se situata është në kontroll, është duke u stabilizuar dhe e qetë. Janë marrë mostra të ujit, nga fshatrat Tearcë, Përshefcë, dhe Gllogjë. Analizat janë kryer dhe uji në aspektin kimik dhe fizik është në rregull, kurse sa i takon pjesës mikrobiologjike apo në aspektin bakterial ende nuk kemi rezultate. Popullatës i apeloj që të mos kenë panik, kurse masat për kujdes gjithmonë duhet të ekzistojnë, të mos shfrytëzohet në këtë kohë uji por të përdoret uji i ambalazhuar derisa nuk kompletohen analizat. Gjendja me ujin në fshatin Gllogjë, sipas koordinatorit të atjeshëm, është kloruar, gjendja e turbullt ka kaluar, kurse sa i takon rajonit që është nën kompetencë të ndërmarrjes publike komunale të Komunës së Tearcës, ka patur punë ndërtimore në një njërin prej hidrocentraleve dhe ndoshta ka ardhur deri te kjo situatë, por kjo ngel në aspekt të spekulimeve sepse tashmë kanë kaluar disa ditë dhe uji është pastruar”, tha Ilija Iljoski, mjek në Qendrën për shëndet publik në Tetovë.
Gjatë katër ditëve të kaluara, në rajonin e Komunës së Tearcës, mbi 500 persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore me simptome të virozit, të cilët dyshojnë se kjo situatë është shkaktuar nga uji. Ende nuk ka rezultate zyrtare nga institucionet relevante se nga ka ardhur kjo situatë. (koha.mk)