Mjekët sugjerojnë që qytetarët duhet të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe fruta, si dhe t’iu ikin ambienteve të hapura mbipopulluara. Qytetarët gjithashtu nuk duhet ta zëvendësojnë mjekun, duke konsumuar antibiotik në shumë raste
Delvina KËRLUKU
Shkup, 6 janar – Ulja e menjëhershme e temperaturave ka rritur numrin e të sëmurëve. Numri i pacientëve të prekur nga viroza apo gjendje gripale, siç preferojnë ta quajnë mjekët, është rritur dukshëm nëpër spitalet dhe poliklinikat e vendit, sidomos në Tetovë dhe në Shkup, shkruan gazeta KOHA.
“Rastet e ditëve të fundin kanë qenë në rritje dhe gjithçka fillon me dhimbje fyti, që shoqërohet me kollë dhe sekrecione”, thotë për gazetën tone, dr.Imran Sadiku, mjeke në poliklinikën e Bit Pazarit. Ndërkaq nga Spitali i Tetovës njoftohemi se ulja e temperaturave te pacientët manifestohet me tharje e djegie te fytit, teshtitje, lodhje, dobësi, kollë të thatë. Siç na e konfirmon edhe dr. Rexhep Emurllai, bëhet fjalë për tipe të ndryshme të viruseve, që në këto periudha e gjejnë rrugën për zhvillimin e vet dhe rritjen e tyre. Kjo manifestohet sidomos ditëve e ftohta të dimrit kur grumbullimi i njerëzve në ambiente të mbyllura favorizon përhapjen e infeksioneve. Një përparësi në këtë aspekt paraqet ndërprerja e procesit arsimor i cili parandalon prekjen e viruseve te grupmoshat e fëmijëve.
Në ndërkohë, 202 raste të të sëmurëve nga gripi janë regjistruar deri para dhjetë ditëve në Republikën e Maqedonisë, theksohet në raportin të cilin në ueb faqen e tij e publikoi Instituti i Shëndetit Publik. Raporti i ri i të sëmurëve nga gripi nga ky Institut pritet në ditët në vijim. Numri më i madh i të sëmurëve janë të moshës prej 15-64 vjet, ndërsa incidenca më e madhe prej 14.5 në 100.000 banorë është regjistruar te personat e moshës mbi 65 vjet. Numër më i madh i të sëmurëve janë regjistruar në rajonin e Njësisë rajonale Gostivar dhe në qendrat për shëndet publik në Tetovë dhe Kumanovë.
Mjekët sugjerojnë që qytetarët duhet të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe fruta, si dhe t’iu ikin ambienteve të hapura të mbipopulluara. Qytetarët gjithashtu nuk duhet ta zëvendësojnë mjekun, duke konsumuar antibiotik në shumë raste. (koha.mk)