Shkup, 21 nëntor – Prej mbrëmë hyri në fuqi gjendja e krizës 30-ditore në territorin e vendit. Vendimin për gjendjen e krizës e solli Qeveria në mbledhje për shkak të mbrojtjes së shëndetit publik në kushte të ekzistimit të pandemisë së Kovid-19 dhe parandalimit të përhapjes së tij në vëllim të shtuar me çka rrezikohet siguria e shëndetit të popullatës.
Vendimi për gjendje të krizës është me propozim të Komitetit drejtues për koordinim dhe menaxhim me sistemin për menaxhim me kriza, pas propozimit paraprak të grupit për vlerësim. Njëkohësisht, Qeveria do t’i propozojë presidentit të Republikës së Maqedonisë së Veriut të vendosë për pjesëmarrje të një pjese të pjesëtarëve të Armatës (lloji dhe numri i forcave dhe kapaciteteve të njësive të armatës, dedikimi dhe detyrat për të cilat kërkohen dhe kohëzgjatja e aktivitetit dhe angazhimi i njësive të armatës) në përballje me gjendjen e krizës.
Qeveria konstatoi shtabi kryesor në kuadër të Qendrës për menaxhim me kriza menjëherë të fillojë me përgatitjen e Planit veprues për parandalim dhe përballjen me përhapjen e Kovid-19, si edhe shqyrtimin e plotë të resurseve njerëzore dhe materialo-teknike dhe planin për veprim të koordinuar, ndërsa Ministria e Punëve të Brendshme, e Armatës, Qendra për menaxhim me kriza dhe Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim, të gjitha kapacitetet dhe resurset e disponueshme t’i vendosin në funksion të përballjes me gjendjen e krizës.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe dje pasdite mbajti takim pune me pronarët e spitaleve private “Zhan Mitrev”, “Sistina” dhe “Remedika”, të cilët shprehën qëndrim pozitiv ndaj përdorimit të burimeve të tyre nga shteti për ballafaqim me pandeminë.
Duke e marrë parasysh që për herë të parë shteti së bashku me institucionet shëndetësore private duhet të bëjnë një riorganizim për ballafaqimin me Kovid krizën gjatë pandemisë, sqarime shtesë të kushteve, mënyra e përdorimit të burimeve të institucioneve private shëndetësore do të dakordohet në takimin e ardhshëm të planifikuar për të dielën. Deri atëherë, ekipet nga Ministria e Shëndetësisë dhe spitalet private do të punojnë për zyrtarizimin e bashkëpunimit, kumtoi Ministria e Shëndetësisë.
Numri i të infektuarve me Kovid-19, si dhe i të vdekurve, edhe më tej është i lartë. Në raportin e djeshëm të Ministrisë së Shëndetësisë, gjatë 24 orëve të fundit u evidentuan 1237 raste të reja me Kovid-19, 39 të vdekur dhe 748 të shëruar.
Numri i përgjithshëm i të diagnostikuarve me kovid në vend prej fillimit të epidemisë është 52449, numri i pacientëve të shëruar është 30952, i të vdekurve është 1462, ndërsa numri i rasteve aktive parqet 20035.
Ministria e Shëndetësisë kumtoi se 1.285 pacientë pozitivë dhe të dyshuar me koronavirus po mjekohen në repartet infektive në Shkup dhe në spitalet e vendit, ndërsa rreth 120 shtretër të zbrazët spitalorë ka në qendrat e kovidit. Nga Ministria cekën se të gjitha repartet e spitaleve klinike disponojnë me vende spitalore, të furnizuara me oksigjen, si dhe se krahas valës së madhe të pacientëve në dhjetë ditët e fundit, janë në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha spitalet dhe nëse ka nevojë, kapacitetet e reparteve për kovid do të zgjerohen plotësisht. (koha.mk)