Armando Sadiku bëhet gati për një aventurë të re në karrierë, pasi ka gjetur një klub të gatshëm të blejë kartonin e tij nga Levante. Megjithatë, deri në ditën e firmës, atij do t’i duhet që të paraqitet në stërvitje me klubin spanjoll, pasi ia ka kërkuar specifikisht edhe trajneri i klubit të ri ku ai pritet të nënshkruajë një kontratë afatgjatë.
Sadiku ka bindur drejtuesit e Trabzonspor për vlerat e tij dhe këta të fundit, prej disa ditësh janë në negociata me Levanten sa u përket shifrave të transferimit, pasi kanë gjetur prej kohësh një akord me vetë sulmuesin e përfaqësueses shqiptare. Gjithsesi, për momentin nuk ka një akord të nënshkruar prej palëve pasi Levante kërkon më shumë se sa ofron Trabzonspor, sepse e cilëson të ulët shifrën e 700 miëj eurove për lojtarin të cilin e ka blerë 1,4 milionë euro nga Legia.
Me situatën në vendnumëro, negociatat pritet të zgjatin edhe një apo dy javë, periudhë në të cilën klubit turk i leverdis që Sadiku të shfaqet në stërvitje me klubin e tij që të jetë në gjendje sa më të mirë kur të finalizohet transferimi, Ndaj trajneri Unal Karaman ka udhëzuar Saidkun që të shkojë që në ditën e parë të grumbullimit te Levante, edhe pse do të qëndrojë për pak kohë atje.
Klubi spanjoll grumbullohet me datë 4 dhe 5 korrik për vizitat e detyrueshme mjekësore edhe më pas, deri më 15 korrik do të jetë në qendrën stërvitore për testimet dhe përgatitjen fizike. Te Trabzonspor shpresojnë që të kenë mbyllur gjithçka para datës 15, në mënyrë që Sadiku të shkojë në Turqi e të fillojë me klubin fazën e stërvitjeve teknike. Kështu ai që të jetë menjëherë vendimtar me fanellën e skuadrës së re që në pjesëmarrjen në Ligën e Europës, ku Trabzonspor do të luajë ndeshjet e tij që nga turi i tretë.