Sa i gjatë do të jetë një person është e përcaktuar në ADN-në e tij që përpara lindjes. Në dekadat e fundit gjatësia e fëmijëve ka patur rritje dhe sipas kërkimeve shkencore, ata janë të prirur të jenë më shtatlartë se prindërit e tyre. Tashmë, një studim i ri, ka zbuluar se si gjatësia e njeriut ndikon tek shëndeti i tij. Studimet e mëparshme kanë treguar se njerëzit e gjatë kanë më pak rrezik që të preken nga sëmundjet kardiovaskulare dhe nga diabeti i tipit 2 sesa njerëzit e shkurtër. Por nga ana tjetër personat e gjatë janë më të rrezikuar për t’u prekur nga kanceri. Profesor Matthias Schulze, nga Instituti Gjerman i të Ushqyerit të Njeriut, thotë: “Të dhënat epidemiologjike tregojnë se për çdo 6.5 cm gjatësi, rreziku për të vdekur nga sëmundjet kardiovaskulare ulet me 6 %. Ndërsa vdekja nga kanceri rritet me 4 %”. “Të dhënat e reja tregojnë se njerëzit e gjatë janë më të ndjeshëm ndaj insulinës dhe kanë më pak yndyrna në mëlçi, gjë që shpjegon rrezikun e ulët për t’u prekur nga sëmundjet kardiovaskulare dhe diabeti i tipit 2”. Sipas studiuesve, aktivizimi i insulinës si faktor në rritje, ndikon tek rritja e rrezikut për t’u prekur nga lloje të ndryshme kanceri, si ai i gjirit, i zorrës së trashë dhe melanoma, duke qenë se rritja e qelizave është aktivizuar në mënyrë të përhershme.