Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Shqipëri është pritur nga Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi.
I pari i Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, Gramoz Ruçi e uroi Kryeministrin Kurti për krijimin e qeverisë dhe për realizimin e objektivave qeverisëse.
Kryeministri Kurti në vizitë ishte me ministren e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami dhe ministrin e Financave dhe Transfereve, Besnik Bislimi.
Në takim, nga ana e kryetarit Ruçi, u tha se “krijimi i koalicionit qeverisës tregon që kjo Qeveri ka vizionin e duhur dhe vullnetin për ta realizuar programin e harmonizuar”.
Kryekuvendari Ruçi i tregoi Kryeministrit Kurti që Kuvendi i Republikës së Shqipërisë e ka derën e hapur gjithnjë për zgjidhjen e problemeve institucionale të Kosovës dhe se ai do të jetë mbikëqyrës i vendimeve të Qeverisë së Shqipërisë që çdo ligj të jetë në përmirësim të raporteve e marrëdhënieve tona.