Tiranë, 23 janar – Autoritetet shqiptare gjatë tre viteve të fundit kanë shpallur më shumë se 60 shtetas të huaj të padëshiruar, mes tyre edhe diplomatë.
Nga të dhënat e Ministrisë për Europën dhe Punët e Jashtme, rezulton se të paktën 7 prej tyre kanë qenë pjesë e trupave të huaja diplomatike, ku pjesa më e madhe rezulton të jetë nga Irani.
I fundit, person i padëshirar, të enjten është shpallur diplomati rus, Aleksej Krivosheev, i cili duhej të largohej nga vendi në 72 orët e ardhshme. Në komunikatë argumentohej se diplomati rus kishte thyer rregullat e diktuara nga pandemia Kovid-19.
“Krivosheev ishte infektuar nga koronavirusi dhe në raste të përsëritura nuk respektonte karantinën e detyrueshme. Krivosheev mbante funksionin e sekretarit të dytë në Ambasadën e Rusisë në Tiranë, ndërsa më herët kishte mbajtur të njëjtin pozicion në ambasadën e Rusisë në Shkup”, njofton televizioni A2.
Moska reagoi sot përmes zëvendës ministrit të Punëve të Jashtme, Aleksandër Grushko, i cili e quan dëbimin e diplomatit rus “një provokim për të dëmtuar marrëdhëniet ruso-shqiptare” dhe paralajmëron për “një përgjigje ndaj këtij hapi armiqësor”.
Krivosheev nuk është diplomati i vetëm i shpallur person i padëshiruar në Shqipëri.
Më 26 mars 2018, Qeveria shqiptare shpalli “non grata” diplomatët rusë, Vladislav Filipov, atashe ushtarak, dhe Aleksej Nikolaeviç Balashov, sekretar i parë i Ambasadës, me arsyetimin se veprimtaria e tyre nuk përputhej me statusin e tyre diplomatik.
Rusia u kundërpërgjigj në mënyrë reciproke, duke dëbuar dy diplomatë shqiptarë në Ambasadën tonë në Moskë, Albert Jerasi dhe Arben Doçi. Jerasi mbante detyrën e zëvendësambasadorit shqiptar në Rusi. Ai ndodhej në Moskë prej më shumë se tre vjetësh, ndërsa më herët kishte shërbyer në misionin shqiptar pranë OKB në Nju-Jork.
“Vitet e fundit, historia e dëbimeve nga Shqipëria nuk lidhet vetëm me Rusinë, por edhe Iranin. Gjatë vitit 2020, Shqipëria dëboi katër iranianë, dy nga të cilët diplomatë. Më 15 janar të vitit të shkuar, autoritetet shqiptare njoftuan se kishin urdhëruar dëbimin nga Shqipëria të dy diplomatëve iranianë, të cilët janë shpallur persona të padëshiruar. Vendimi u bë i ditur nga ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, në një postim në Facebook. Sipas tij, të dy diplomatët, Mohamad Ali Arz Peimanemati dhe Sejed Ahmad Hoseini Alast, kishin zhvilluar ‘veprimtari në mospërputhje me statusin e tyre dhe parimet e Konventës së Vjenës për Marrëdhëniet Diplomatike’. Dy përfaqësuesve të Republikës Islamike të Iranit u është kërkuar largimi i menjëhershëm nga territori i Republikës së Shqipërisë”. njofton televizioni.
Më 23 korrik të vitit të shkuar, Shqipëria dëboi Dabiel Kasrae (29), iranian me shtetësi italiane, të cilit iu ndalua qëndrimi në Shqipëri për një periudhë prej 15 vitesh.
Më 18 tetor, po të vitit 2020, u shpall “non grata” një tjetër iranian, Ehsan Bidin, pasi dyshohet se ishte i infiltruar në kampin e muxhahedinëve në Manzë.
Në vitin 2018, ambasadori i Iranit në Tiranë, Golamhoshein Mohamadnia dhe një tjetër diplomat u shpallën “non grata”, pasi sipas shërbimeve inteligjente ishin të përfshirë në disa aktivitete që cenonin sigurinë kombëtare.
Shifrat e dëbimeve zgjerohen pas protestës me gjuhë urrejtjeje nga ana e një grupi shtetasish grekë, që morën pjesë në funeralin e Kostandinos Kacifës, më 8 nëntor, në fshatin Bularat të Dropullit, duke shpallur “persona të padëshirueshëm” 52 prej tyre.
Krahas shpalljes “non grata”, 11 persona, kryesisht grekë, u vendosën nën hetim në gjendje të lirë nga autoritetet shqiptare për veprat penale “Nxitja e urrejtjes dhe grindjeve”, “Shpërndarja apo futja e materialeve, shkrimeve apo simboleve nga jashtë në Republikën e Shqipërisë, të cilat synojnë përmbysjen e rendit kushtetues a cenimin e tërësisë tokësore të vendit” dhe “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.
Lidhur me ngjarjen në Bularat, Shqipëria shpalli person të padëshiruar eurodeputeten qipriote, Eleni Teoharous dhe gazetarin Panaiotis Savidis.