Shkup, 2 prill – Për shkak të reshjeve të rrëmbyeshme të borës gjatë 24 orëve të fundit, në territorin e Shkupit janë evidentuar gjithsej 22 drunj të rënë, 17 prej të cilëve në vendbanime, ndërsa pesë të tjerë në Parkun e Qytetit, informoi kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov.
Ai në profilin e tij në Fejsbuk shkroi se ekipet e Qytetit të Shkupit dhe ndërmarrjeve publike menjëherë kanë dalë në terren dhe po i pastrojnë drunjtë dhe degët e rëna, ndërkaq po sanohen edhe degët e thyera që rrinë varur drunjve dhe paraqesin rrezik për kalimtarët.
“U bëjmë thirrje qytetarëve të jenë të kujdesshëm gjatë lëvizjes afër drunjve, e njëherit i lusim për durim derisa zgjasin aktivitetet për pastrim të dëmeve të shkaktuara nga reshjet e rrëmbyeshme të borës”, shkroi Shilegov në Fejsbuk. (koha.mk)