Në mesin e shumë projekteve që i ka paralajmëruar dhe mendon ti realizon NP “Parqe dhe Gjelbërimi”, është investimi në Malin e Gazi Babës. Përkundër investimeve dhe rregullimit hortikulturor të hapësirave në kryeqytet, opinioni është dëshmitar se një pjesë e madhe e të mirës publike është shënjestër e vandalizmit
Omer XHAFERI
Shkup, 1 mars – Mbi 40 hapësira të reja gjelbërim dhe rreth 12 mijë drunjë të rij, pritet që brenda këtij vitit të investohen në qytetin e Shkupit. Në shënimin e 53 vjetorit të Ndërmarrjes Publike “Parqe dhe Gjelbërime”, drejtori Adrian Muça, tha se vitin e kaluar investimet në hapësira të gjelbërta në Shkup janë shtuar për 100 për qind. Me një intensitet të tillë, Muça theksoi se do të punojnë edhe gjatë këtij viti, shkruan gazeta KOHA.
“Administrata e Qytetit të Shkupit i kushton rëndësi të madhe gjelbërimit në kryeqytet. Për këtë arsye edhe buxheti i ndërmarrjes tonë është dyfishuar, gjegjësisht nga 65 milion është rritur në 120 milionë denarë. Këto mjete i kemi shfrytëzuar për krijimin e hapësirave të reja dhe mirëmbajtjen e tyre”, tha drejtori Muça.
Në mesin e shumë projekteve që i ka paralajmëruar dhe mendon ti realizon NP “Parqe dhe Gjelbërimi”, është investimi në Malin e Gazi Babës. I rrethuar nga disa lagje urbane, mes tyre edhe ajo Gazi Babës, kjo pjesë e Shkupit, qoftë gjatë verës, apo dimrit është tepër e vizituar. Drejtori i “Parqeve dhe Gjelbërimeve”, tha se për vitin 2019 nuk janë paraparë mjete për investim në këtë mal urban, megjithatë shtoi se ende nuk janë shterur të gjitha mundësitë për të investuar.
“Nëse me rebalancin e buxhetit arrijmë të sigurojmë mjete të mjaftueshme, atëherë në Malin e Gazi Babës do të ndërtojmë një ‘Park Adrenalinë’. Ideja është që një park i tillë të ngritët edhe në afërsi të Malit Vodno. Por meqë bëhet fjalë për një investim më serioz, ku duhet të sigurohen leje për siguri të qytetarëve dhe një varg licencash tjera, realizimin e këtij investimi sipas të gjitha gjasave do ta bëjë një kompani e huaj. Sidoqoftë, ende nuk ka asgjë konkrete për këtë gjë”, tha drejtori Muça. Përkundër investimeve dhe rregullimit hortikulturor të hapësirave në kryeqytet, opinioni është dëshmitar se një pjesë e madhe e të mirës publike është shënjestër e vandalizmit. Dëmtimi i ulëseve dhe shkatërrimi i drunjëve të mbjellur, paraqet një prej problemeve kryesore me të cilën gati ballafaqohet çdo komunë në Qytetin e Shkupit, përfshi vetë administratën e kryeqendrës.
“Ligji për policinë komunal është gati. Të njëjtin e kemi dorëzuar në Qeveri. Ende nuk kam përgjigje konkrete se kur do të shqyrtohet. Jemi në pritje”, tha kryetari i Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, në pyetjen se kur pritet të miratohet ligji, përmes të cilit parashihet ti vendoset fund dëmtimit të mirës publike. (koha.mk)