Shkup, 19 mars – Drejtues i një motoçiklete ka marrë lëndime të rënda, ndërsa pesë janë lënduar më lehtë në pesë aksidente trafiku prej gjithsej 12 që kanë ndodhur gjatë 24 orëve të fundit në rajonin e Qytetit të Shkupit. Në gjashtë aksidente është shkaktuar dëm material.
Sipas të dhënave të SPB Shkup, policia ka evidentuar 39 shoferë të cilët kanë drejtuar automjetin me shpejtësi më të madhe nga e lejuara, 17 para se ta fitojnë të drejtën e patentë shoferit dhe gjashtë fillestarë.
Nga komunikacioni janë përjashtuar edhe pesë automjete me probleme teknike dhe 14 të paregjistruara. Janë dënuar edhe 90 shoferë për parkim jo të drejtë , ndërsa me automjetin e posaçëm “karrotrec” janë larguar 66 automjete.
Janë sanksionuar edhe pesë këmbësorë, të cilët kanë kaluar në dritë të kuqe, dy shoferë të cilët nuk i kanë dhënë të drejtë kalimi këmbësorëve në vendkalimin e shënuar për këmbësorë, gjashtë për reshtim jo të drejtë, një për tejkalim jo të drejtë, dhe një shofer i cili nuk u ka dhënë përparësi kalimi automjeteve në zonë udhëkryqi. Janë dënuar edhe pesë shoferë motori, mopedi dhe motoçiklete për mosshfrytëzim të kaskës mbrojtëse, gjashtë shoferë për mosmbajtjen e rripit të sigurisë dhe 20 shoferë të cilët kanë folur në telefon celular derisa kanë drejtuar automjetin. (koha.mk)